Vendosni fjalën kyçe....

Përdornin materiale të skaduara në klinikë, pranga administratorit dhe dentistit në Tiranë


Administratori i një klinike dentare në Tiranë dhe një dentist janë arrestuar nga policia.

Ata akuzohen se përdornin në klinikë materiale të skaduara për terapi, ortodoncë, kirurgji, ura porcelani, proteza dhe implante dentare.

Në pranga kanë rënë 40-vjeçari Ervin Zeka dhe 26-vjeçari Kejdi Myzyri. 12 punonjës të klinikës janë proceduar në gjendje të lirë.

Njoftimi

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Siguria Dentare”, të zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, me qëllim garantimin e sigurisë së pacientëve në klinikat dentare.

Gjatë kontrolleve në një klinikë dentare në Rrugën e Kavajës, policia zbuloi një sasi të konsiderueshme preparatesh dhe materialesh dentare të skaduara, të cilat përdoreshin për shërbime si terapi, ortodoncë, kirurgji, ura porcelani, proteza dhe implante dentare.

Si rezultat i hetimeve, u arrestuan në flagrancë administratori i klinikës, Ervin Zeka, 40 vjeç, dhe një nga stomatologët, Kejdi Myzyri, 26 vjeç. Gjithashtu, 12 punonjës të tjerë të klinikës janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Materialet u sekuestruan si provë materiale, ndërsa çështja është referuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.

Të arrestuarit dhe të proceduarit po përballen me akuza për “Prodhimin dhe tregtimin e barnave dhe pajisjeve mjekësore të falsifikuara ose të rrezikshme për jetën dhe shëndetin”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Fshehje të ardhurash”.”