
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp të mbajtur këtë të martë, ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lidhur me procesin zgjedhor të 11 majit 2025, të cilin ai e cilësoi si “farsë elektorale”.
Duke folur për atë që e quajti “shkatërrim të themelit të demokracisë dhe shtetit ligjor”, Berisha deklaroi se zgjedhjet janë “groposur” në mënyrë të qëllimshme dhe se çdo mekanizëm shtetëror është përdorur për të deformuar vullnetin e qytetarëve.
“Për një shoqëri, groposja e zgjedhjeve si proces demokratik, shndërrimi i tyre në farsë elektorale, është de facto dhe de jure varrosje e shtetit ligjor, Kushtetutës dhe demokracisë së atij vendi”, u shpreh ai.
Në vijim të deklaratës së tij, Berisha hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke thënë se ky i fundit ka përdorur “çdo mjet dhe pushtet” për të manipuluar zgjedhjet.
Por, sipas Berishës, skandali më i rëndë lidhet me zhvendosjen e 350 kutive të votimit nga magazinat e KQZ-së në Farkë, pa asnjë dokument zyrtar. Ai i drejtoi disa pyetje publike kryekomisionerit Ilirjan Celibashi:
“A janë marrë 350 kuti votimi më 12 apo 13 prill nga magazinat e KQZ-së në Farkë?”
“A ka firmosur Celibashi për dorëzimin e tyre te persona të caktuar?”
“A ka dijeni për marrjen e tyre pa asnjë dokument dhe transportimin në një ambient të administruar nga një ish-deputet socialist?”
Berisha kërkoi dorëzimin e menjëhershëm të pamjeve të kamerave të sigurisë në magazinat e KQZ-së, duke i bërë thirrje Celibashit të mos shmangë përgjegjësinë.
Ai gjithashtu hodhi poshtë çdo përpjekje për t’ia kaluar përgjegjësinë një agjencie tjetër shtetërore sigurie, duke e cilësuar këtë si “qesharake dhe të pabesueshme”.
Berisha përfundoi deklaratën duke paralajmëruar se opozita do të kërkojë përgjegjësi të plotë ligjore për këtë çështje, që sipas tij prek integritetin themelor të procesit zgjedhor në vend.