
Të paktën 27 të vdekur, kryesisht fëmijë, në rrëzimin e një avioni të forcave ajrore të Bangladeshit
Të paktën 25 fëmijë janë mes 27 të vdekurve pasi një avion i ushtrisë së Bangladeshit që ishte në një mision stërvitjeje u rrëzua në një konvikt shkollor në kryeqytetin e vendit Daka, thanë zyrtarët të martën.
Avioni F-7 BGI u rrëzua të hënën, menjëherë pasi u ngrit në orën 13:06 nga baza ajrore në Kurmitola në një mision stërvitjeje rutinë. Ushtria tha se aeroplani pësoi një defekt mekanik, shkruan Reuters.
Pamjet treguan punonjës nga ekipet e kërkim-shpëtimit duke kërkuar në ndërtesat e djegura për mbeturina, ndërsa anëtarë të familjeve të shqetësuar rrethuan vendin.

Sayedur Rahman, asistent special i këshilltarit kryesor për shëndetësinë, u tha gazetarëve se 27 persona kishin vdekur dhe 88 u shtruan në spital me lëndime nga djegiet. Ndër të vdekurit ishin 25 fëmijë, një mësues dhe piloti.
F-7 BGI është varianti i fundit dhe më i përparuar në familjen e avionëve Chengdu J-7/F-7 të Kinës. Bangladeshi nënshkroi një kontratë për 16 avionë në vitin 2011 dhe dërgesat u përfunduan deri në vitin 2013.
Incidenti vjen ndërsa India fqinje ende po përballet me katastrofën më të keqe të aviacionit në botë në dhjetëvjeçarin e fundit, pasi një aeroplan i “Air India” u rrëzua në një konvikt kolegji mjekësor në Ahmedabad muajin e kaluar, duke vrarë 241 nga 242 personat në bord dhe 19 në tokë.