Vendosni fjalën kyçe....

Zelensky akuzon Rusinë për “sulm ndaj njerëzimit” pas bombardimeve masive


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka akuzuar Rusinë për një “sulm ndaj njerëzimit” pas një vale të re sulmesh ajrore, ku sipas tij, Moska ka lëshuar mbi 420 dronë dhe mbi 20 raketa brenda një nate, duke shkaktuar viktima dhe shkatërrime të konsiderueshme, përfshirë goditjen e një stacioni metroje në Kiev, ku njerëzit po strehoheshin, përcjell Guardian.

Mes kësaj vale të re dhune, Gjermania ka njoftuar se do të dërgojë pesë sisteme të mbrojtjes ajrore Patriot për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës, një masë që vjen pas një takimi të Grupit të Kontaktit për Ukrainën, të përbërë nga 50 aleatë perëndimorë dhe bashkëkryesuar nga Berlini dhe Londra.

Ministri gjerman i mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se Berlini është i gatshëm të paguajë Shtetet e Bashkuara për të përshpejtuar dërgimin, ndërsa dy sisteme pritet të transferohen menjëherë nga rezervat gjermane, e për tre të tjerat do të vendoset në ditët në vijim.

Ndërkohë, Britania ka premtuar 700 milionë paund për mbrojtjen ajrore dhe municione për Ukrainën këtë vit, ndërsa Franca njoftoi ndihmë shtesë prej 200 milionë euro për infrastrukturën dhe ekonominë ukrainase.

Sulmi i fundit rus goditi stacionin e metrosë Lukianivska në Kiev, ku qindra qytetarë ishin strehuar. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë njerëz të mbuluar nga pluhuri dhe tymi në platformën e metrosë. Dëme janë raportuar edhe në ndërtesa, biznese dhe një çerdhe. “Strehat nuk janë më të sigurta,” deklaroi ministri i jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, gjatë një vizite në stacionin e dëmtuar.

Sipas të dhënave nga Forcat Ajrore të Ukrainës, efikasiteti i dronëve rusë është rritur ndjeshëm në muajt e fundit – rreth 15% e tyre godasin objektivin, krahasuar me 5% më parë – duke e bërë më urgjente forcimin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

Zelenskyy njoftoi gjithashtu se Kievi ka propozuar një raund të ri bisedimesh paqeje me Moskën. Megjithatë, përfaqësuesit rusë vazhdojnë të ngulin këmbë në kërkesat e tyre maksimale, përfshirë marrjen e më shumë territori dhe largimin e qeverisë së Zelenskyyt.

Në të njëjtën kohë, Bashkimi Europian ka miratuar paketën e 18-të të sanksioneve kundër Rusisë, duke goditur bankat ruse dhe ulur çmimin tavan për eksportet e naftës, në përpjekje për të dobësuar financimin e luftës nga Kremlini.