
Presidenti amerikan Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj një gjykatëse të emëruar nga Obama, e cila po shqyrton çështjet ligjore që lidhen me Universitetin Harvard në Massachusetts. Në një postim, ai e cilësoi gjykatësen si një “katastrofë totale”, duke e akuzuar se ka marrë në kontroll të gjitha çështjet e Harvardit dhe se përfaqëson automatikisht “një humbje për popullin amerikan”, përcjell Open Source.
Trump u shpreh se edhe pse vendimi ende nuk është dhënë, ai dhe ekipi i tij do të apelojnë menjëherë nëse humbasin, dhe besojnë se do të fitojnë. Ai shtoi se Harvard ka 52 miliardë dollarë në bankë, por është “anti-semit, anti-kristian dhe anti-amerikan”. Ai kritikoi gjithashtu fondet që universiteti merr nga qeveria amerikane dhe premtoi që administrata e tij do të ndalojë dhënien e miliarda dollarëve pa transparencë ndaj këtij institucioni.