Vendosni fjalën kyçe....

Të paktën 20 të vdekur dhe mbi 170 të plagosur në Bangladesh, pasi një avion stërvitor u përplas me një shkollë



Një aksident ajror me pasoja të rënda goditi kryeqytetin e Bangladeshit, Daka, kur një avion stërvitor i Forcave Ajrore u rrëzua mbi godinën e një shkolle në zonën Uttara. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:00 me orën lokale, gjatë një fluturimi stërvitor. Sipas autoriteteve ushtarake, avioni lloj F-7 pësoi një defekt teknik pak minuta pas ngritjes dhe piloti tentoi ta devijonte drejt një zone më pak të populluar, përcjell BBC.

Goditja në një ndërtesë dykatëshe të shkollës “Milestone School and College” shkaktoi zjarr dhe shpërthim të fuqishëm. Pamjet nga vendngjarja tregojnë tym të dendur dhe rrënoja të djegura, ndërsa dhjetëra ekipe shpëtimi punonin për të nxjerrë të mbijetuarit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Bangladeshit, të paktën 20 persona humbën jetën, përfshirë pilotin, ndërsa mbi 170 të tjerë u plagosën – shumë prej tyre fëmijë. Të paktën 50 persona janë shtruar me djegie në gjendje të rëndë, shumica e tyre të moshës 10 deri në 15 vjeç. Shkolla kishte përfunduar sapo orarin e mësimit, çka rriti ndjeshëm numrin e të prekurve.

Një mësues lokal, Rezaul Islam, tha se pa avionin të përplasej drejtpërdrejt mbi ndërtesë, ndërsa dëshmitarë të tjerë folën për shpërthime dhe panik mes fëmijëve dhe prindërve që ndodheshin në ambientet e shkollës.

Autoritetet kanë formuar një komision hetimor për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Viktimat po trajtohen në shtatë spitale të ndryshme në Daka, ndërsa institucionet po vijojnë identifikimin e tyre. Mijëra qytetarë dhe familjarë janë mbledhur pranë qendrave spitalore për të dhënë gjak dhe për të kërkuar të afërmit e tyre.