Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli reagon ndaj deklaratës së 25 vendeve: Nëse të përgëzon Hamasi, je në anën e gabuar


Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, ka reaguar ndaj deklaratës së 25 vendeve që bënin thirrje për “t’i dhënë fund vuajtjes në Gaza”, duke e cilësuar këtë qëndrim si të gabuar dhe të rrezikshëm, përcjell YNetNews.

Saar theksoi se përgëzimet e Hamasit për këtë deklaratë janë treguesi më i qartë se vendet që e kanë firmosur janë “në anën e gabuar të historisë”.

“Nëse Hamasi të përgëzon – atëherë je në vendin e gabuar,” tha ai. “Lavdërimi që Hamasi i bëri kësaj deklarate është prova më e mirë e gabimit që kanë bërë këto vende – disa me qëllime të mira, të tjerë për shkak të obsesionit të tyre kundër Izraelit.”

Shefi i diplomacisë izraelite paralajmëroi se vendi ndodhet në një fazë të ndjeshme të negociatave dhe akuzoi Hamasin se, përveçse refuzon armëpushimin, po zhvillon një fushatë shpifjesh që – sipas tij – po mashtron shumë aktorë të komunitetit ndërkombëtar.

Deklarata e 25 vendeve kërkonte ndërprerjen e luftimeve dhe një zgjidhje që t’i japë fund vuajtjeve humanitare në Rripin e Gazës. Reagimi i ashpër i Izraelit pason një varg kritikash në rritje nga komuniteti ndërkombëtar lidhur me krizën humanitare në territorin palestinez.