
Një incident i pazakontë ndodhi gjatë një interviste live të transmetuar nga televizioni publik gjerman ARD me bashkëkryetaren e partisë së djathtë ekstreme Alternative für Deutschland (AfD), Alice Weidel, në Berlin. Intervista, e realizuar pranë një sheshi publik, u ndërpre disa herë nga një protestë e befasishme që përfshinte muzikë me zë të lartë dhe slogane kundër AfD, përcjell Guardian.
Protestuesit, mes tyre grupi Omas gegen Rechts (Gjyshet kundër së djathtës) dhe kolektivi artistik antifashist Zentrum für Politische Schönheit, përdorën një autobus me altoparlantë për të transmetuar këngën satirike “Scheiß AfD Jodler”. Atmosfera e zhurmshme bëri që disa pjesë të intervistës të mos dëgjoheshin qartë nga publiku.
Pavarësisht përpjekjeve të gazetarit Markus Preiß dhe vetë Weidel për ta vijuar intervistën, momentet e tensionit ishin të dukshme. Në rrjetet sociale, Weidel reagoi duke ironizuar protestën dhe duke e cilësuar korin si një “OJQ të financuar nga taksat”.
ARD u përball me kritika të shumta për organizimin dhe vendndodhjen e intervistës. Në një deklaratë zyrtare, televizioni tha se nuk ishte informuar paraprakisht për protestën dhe se ajo nuk ishte njoftuar në polici. “Do të nxjerrim mësime nga ky incident dhe do të marrim masa në të ardhmen për të garantuar rrjedhshmëri në intervista,” tha një zëdhënës i ARD.
Ndërkohë, partia AfD ka kërkuar që intervista të përsëritet në kushte të barabarta, ndërsa kritikët e saj shprehën shqetësimin se incidenti mund të ketë krijuar më shumë publicitet për partinë e djathtë ekstreme.
Organizata Reporterët pa Kufij reagoi gjithashtu duke kërkuar që kompanitë e mëdha të internetit të taksohen për të mbështetur median publike, e cila sipas tyre po përballet gjithnjë e më shumë me presione politike në vende të ndryshme të Evropës.