
Koalicioni qeverisës në Japoni është i sigurt se ka humbur shumicën në Dhomën e Sipërme të parlamentit pas zgjedhjeve të së dielës, raportoi transmetuesi publik NHK, një zhvillim që dobëson më tej pozitat e kryeministrit Shigeru Ishiba, ndërsa afron afati i 1 gushtit për tarifat tregtare me Shtetet e Bashkuara.
Megjithëse këto zgjedhje nuk përcaktojnë drejtpërdrejt rënien e qeverisë së Ishibas, rezultati i shton presionin politik ndaj liderit të goditur, i cili tashmë kishte humbur kontrollin mbi Dhomën e Ulët, më të fuqishmen në tetor të vitit të kaluar.
Sipas NHK-së, Partia Liberal Demokrate (LDP) e Ishibas dhe aleati i saj Komeito ishin të destinuar të mbeteshin nën pragun e 50 vendeve të nevojshme për të kontrolluar Dhomën e Sipërme, që përbëhet nga 248 vende, nga të cilat gjysma ishin në garë në këto zgjedhje. Ende mbeteshin për t’u numëruar gjashtë vende, përcjell Reuters.
Kjo humbje vjen pas rezultatit më të dobët për LDP-në në 15 vite, që u regjistrua në zgjedhjet e Dhomës së Ulët në tetor, dhe e bën administratën e Ishibas më të ekspozuar ndaj mocioneve për mosbesim dhe kërkesave për ndërrim drejtimi brenda partisë.
“A e pranoni këtë rezultat dhe a qëndroni në detyrë?” – u pyet Ishiba të dielën në mbrëmje, pas publikimit të exit-polleve.
“E pranoj solemnitetin e këtij rezultati të ashpër,” – tha ai për NHK.
Më vonë, për televizionin TV Tokyo, shtoi: “Jemi të angazhuar në negociata jashtëzakonisht të rëndësishme për tarifat me Shtetet e Bashkuara… Nuk duhet kurrsesi t’i rrezikojmë ato. Është krejtësisht e natyrshme të përkushtohemi plotësisht për të realizuar interesat tona kombëtare.”
I pyetur nëse kishte ndërmend të qëndronte si kryeministër dhe lider i partisë, Ishiba u përgjigj shkurt: “Po, kështu është.”
Japonia, ekonomia e katërt më e madhe në botë, përballet me një afat deri më 1 gusht për të arritur një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara, ndryshe do të përballet me tarifa ndëshkuese në tregun e saj më të madh të eksportit.
Opozita kryesore, Partia Demokratike Kushtetuese, pritej të përfundonte e dyta në renditje sipas numërimit të votave.
Ndërkohë, partia e skajshme Sanseito – një lëvizje e lindur në YouTube para pak vitesh – bëri një hyrje të bujshme në politikën tradicionale me fushatën e saj “Japoni e Para” dhe paralajmërimet për një “pushtim të heshtur” nga të huajt.
Ajo pritet të fitojë të paktën 13 vende përveç njërit që kishte fituar më herët.
Çmimet dhe taksat, në qendër të debatit
Partitë opozitare fituan terren falë premtimeve për ulje taksash dhe rritje të shpenzimeve sociale, në një kohë kur rritja e çmimeve – sidomos e orizit – ka rritur pakënaqësinë ndaj reagimit të qeverisë.
“LDP-ja po mbrohej gjatë gjithë fushatës, duke u pozicionuar në krahun e gabuar të çështjeve kyçe për votuesit,” – tha David Boling nga Eurasia Group.
“Sondazhet tregojnë se shumica e familjeve duan ulje të taksës së konsumit për të përballuar inflacionin – diçka që LDP-ja e kundërshton. Opozita e shfrytëzoi këtë dhe e përforcoi mesazhin,” – shtoi ai.
LDP-ja ka kërkuar kujdes fiskal, me synimin për të qetësuar tregjet e shqetësuara të obligacioneve, pasi Japonia ka borxhin më të madh publik në botë. Por çdo kompromis me opozitën për miratimin e ligjeve do të thellojë shqetësimet për rritjen e mëtejshme të buxhetit, sipas analistëve.
“Partia në pushtet do të detyrohet të bëjë kompromis për të marrë mbështetjen e opozitës dhe buxheti do të zgjerohet më tej,” – tha Yu Uchiyama, profesor i politikës në Universitetin e Tokios.
“Edhe vlerësimi i investitorëve të huaj për ekonominë japoneze do të jetë më kritik.”
Sanseito, e cila gjatë pandemisë përhapi teori konspirative për vaksinat dhe një elitë globale të fshehtë, mbështet gjithashtu rritjen e shpenzimeve publike. Por pikërisht qëndrimet e saj të ashpra ndaj emigracionit e kanë bërë të spikasë, duke tërhequr një retorikë dikur periferike drejt qendrës politike.
Rritja e dukshmërisë së të huajve në Japoni është bërë një temë e nxehtë në debatet elektorale. Me rreth 3.8 milion banorë të huaj – rreth 3% e popullsisë – Japonia është ende larg nivelit të emigracionit në SHBA apo Europë, por rritja e turizmit ka rritur ndjeshmërinë e publikut.
“Jam student në një program pasuniversitar, por nuk kam asnjë japonez pranë. Të gjithë janë të huaj,” – tha Yu Nagai, 25 vjeç, pas votimit në lagjen Shinjuku të Tokios.
“Kur shoh mënyrën si shpërndahen pagesat dhe përfitimet për të huajt, ndjej se japonezët janë disi të nënvlerësuar,” – shtoi ai.
Rezultati i zgjedhjeve përfaqëson një kthesë të re për politikën japoneze – me përçarje më të thella, retorikë më të ashpër dhe sfida më të mëdha për një lider që përballet me presion të brendshëm dhe ndërkombëtar.