Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës përhapet drejt Zall Gjoçajt, rrezikohen stane dhe bletari


Zjarri i shpërthyer rreth dy javë më parë pranë liqenit të luleve në Parkun Kombëtar të Lurës ka dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë tashmë edhe zonën e Zall Gjoçajt. Flakët kanë përpirë dhjetëra hektarë pyje me pishë të zezë, ah dhe bimësi të dendur, ndërsa përpjekjet tokësore për shuarjen e tij nuk kanë rezultuar të suksesshme.

Në terren janë angazhuar forca të shumta nga ADZM Dibër, zjarrfikësit e Bashkisë Dibër, Shërbimi Pyjor, efektivë të ushtrisë dhe punonjës të tjerë, por era e fortë dhe terreni i thyer malor po e vështirësojnë ndërhyrjen.

Flakët kanë arritur pranë stanave të bagëtive dhe rrezikojnë gjithashtu mbi 100 koshere bletësh, duke kërcënuar seriozisht ekonominë e zonës.

Autoritetet vendore i bëjnë thirrje qeverisë për ndërhyrje nga ajri, pasi vetëm me helikopter mund të frenohet përhapja e mëtejshme e zjarrit dhe të parandalohet dëmi i madh në Parkun Kombëtar të Lurës dhe zonën e mbrojtur të Balgjajt.