
Të paktën 28 persona janë plagosur pasi një automjet ende i paidentifikuar është futur mes një turme në lagjen East Hollywood, në orët e para të mëngjesit të së shtunës, njoftoi Departamenti i Zjarrfikësve të Los Angeles-it (LAFD).
Ngjarja ndodhi rreth orës 2 të mëngjesit me orën lokale, në West Santa Monica Boulevard, pranë një ambienti muzikor ku kishte një grumbullim njerëzish.
Sipas LAFD, tre persona u transportuan në gjendje kritike, gjashtë në gjendje të rëndë dhe 19 të tjerë me lëndime të lehta, përcjell CNN.
Pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes tregojnë disa persona të shtrirë në rrugë dhe mbi trotuar, ndërsa po marrin ndihmën e parë. Disa prej tyre u larguan me barrelë, ndërsa policia bllokoi zonën përreth.
Departamenti i Zjarrfikësve organizoi triazhin dhe transportimin e të plagosurve, duke angazhuar gjithsej 124 efektivë në operacionin e emergjencës.