Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet një shqiptar në Bolonjë me mbi 11 kilogramë kokainë dhe armë zjarri


Policia e Bolonjës ka arrestuar një 34-vjeçar shqiptar në zonën e Castel dei Britti, në komunën San Lazzaro di Savena, pas zbulimit të një sasie të konsiderueshme droge dhe një arme zjarri në banesën e tij.

Sipas njoftimit zyrtar, shqiptari ishte nën mbikëqyrje për një periudhë kohe dhe kishte një të kaluar kriminale të rëndë: ai ishte dënuar me 14 vjet burg për vrasjen e një muratori rumun 25-vjeçar në Bolonjë më 26 shtator 2011, si dhe për shfrytëzim prostitucioni. Ai kishte qëndruar në burg nga viti 2011 deri në maj 2024.

Hetuesit, pas vëzhgimeve intensive, ndërhynë në banesën e tij ku gjatë një kontrolli në bodrum zbuluan një çantë që përmbante 10 blloqe kokaine me një peshë totale prej 11.405 kilogramësh. Po ashtu, brenda një furre të integruar u gjet një pistoletë e llojit Arminius 38 Special, e cila rezulton të jetë vjedhur në nëntor të vitit 2022 në provincën e Sienës. Në çantë u gjetën edhe 23 fishekë të fshehur në një çorape.

Autori ndodhet tashmë në paraburgim, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse ai është i lidhur me rrjete më të gjera të trafikut të drogës dhe armëve.