Vendosni fjalën kyçe....

“Ne firmën ata lekët”, “I shërbeva si qeni, e hodha firmën siç ma kërkoi” – Biseda telefonike që implikoi kreun e KPP-së Jonaid Myzyri


Një përgjim mes punonjëseve të Komisionit të Prokurimeve Publike dyshohet se implikon kreun e këtij institucioni Jonaid Myzyri, i marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK.

Tenderi 2.3 milionë euro për të cilin dyshohet se Myzyri ka ndërhyrë të punonjëset e KPP-së është ai për mirëmbajtjen e rrugës 58.7 km, “Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Ura e Repsit”.

Hetimi nisi pas dyshimeve se Myzyri kishte diktuar veprimet e anëtarëve të tjerë të KPP në rastet e shqyrtimit të ankesave ndaj procedurave të prokurimit.

Sipas dosjes hetimore, punonjësja e KPP-së Lindita Skeja ka patur edhe biseda të tjera telefonike, të cilat janë përgjuar nga SPAK, raporton gazetarja Klodiana Lala për News24 dhe janë përfshirë në dosjen ndaj Myzyrit I cili u mor I pandehur më 24 qershor të këtij viti.

Në një nga bisedat telefonike, Skeja i thotë bashkëbisedueses se “firmosa ashtu siç ma kërkoi” dhe se “i shërbeva si qeni, ne firmën ata lekët”.

Përgjimi i SPAK

Speaker A (Lindita): Ai na majti kshu… që krijum besim që ne jemi miqtë e atij…ene rrimë të qetë. N’a ofroi mori informacione. Unë vajta dhe i shërbeva si qeni.

Speaker B: Hej zot!

Speaker A (Lindita): Vajta i shërbeva si qeni. I shërbeva me sy mbyll… e du edhe pikë. E du kshtu…firmos ne, të gjith si delet. Ime veme ku të n’a thërrasin. Rresht. Firmën ne e lekët ata.

Speaker B: A mos i hongert o Zot.

Speaker A (Lindita): Bojna se e dini ju se ç’ju boj unë, bojna… Më pas

Speaker A (Lindita): Amin…ata hop mrap ere… hop mrapa… hop mrapa me e çoi mu në KPP… më çoi mu në KPP, përballem atje me lloj lloj pislliku…

Speaker B: Pi hiç ere un sve po ene tha Dashi motrës tha mos shko…

***

Në dosjen hetimore, Prokuroria e Posaçme thekson se “nga rezultati i përgjimeve ngrihen dyshime të arsyeshme që në vendimmarrjen e KPP për shqyrtimin e ankesës me objekt: “Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal-Q.Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, me fond limit 219.866.693 lekë pa TVSH si dhe në vendimmarrje të tjera, ekzistojnë elementë të veprimeve të kundraligjshme që mund të kenë ndikuar në këto vendime”.

Në kërkesën drejtuar GJKKO-së për masën ndaj Myzyrit, prokurori i SPAK, Elvin Gogaj ka argumentuar se “masa e sigurimit duhet të caktohet pasi ekziston rreziku i cenimit të provave, ai i ikjes, si dhe ai i kryerjes së veprave të jera penale nga personi nën hetim Jonaid Myzyri”. “Ka dyshime të arsyeshme që ai mund të vërë në rrezik marrjen e provës apo vërtetësinë e saj, duke ndërhyrë tek personat që kanë dijeni për kryerjen e veprës penale dhe që nukj janë pyetur deri në këto momente, megjithëse veprimet po kryhen në dinamikë nga ana e Prokurorisë së Posaçme”.

Gjithashtu, SPAK është duke hetuar procedurat e tenderëve përgjatë viteve 2020-2023 pasi ka dyshime të forta se janë zhvilluar pa garë, pasi në shumë raste rezulton pjesëmarrëse vetëm një kompani, e në raste të tjera, shoqëritë janë skualifikuar në mënyrë të padrejtë.

Jonaid Myzyri u emërua në krye të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP) në vitin 2020, për një mandat 5-vjeçar, me propozim të Këshillit të Ministrave dhe votim në Parlament.