Vendosni fjalën kyçe....

Zjarret në Dibër dhe Bulqizë jashtë kontrollit, kërkohet ndërhyrje nga ajri


Situata e zjarreve në Bulqizë dhe Dibër vijon të jetë kritike, me qindra hektarë pyje të djegura gjatë dhjetë ditëve të fundit. Më problematike paraqitet situata në parkun kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”, ku zjarri është përhapur në një perimetër të gjerë dhe është jashtë kontrollit.

Pavarësisht përfshirjes së dhjetëra forcave nga pushteti vendor, Agjencia e Zonave të Mbrojtura, Bashkia Dibër dhe Forcat e Armatosura, terreni i vështirë malor e bën të rrezikshme dhe të vështirë ndërhyrjen nga toka.

Në Bulqizë, vatra e zjarrit në malin e Vlashajt në Shupenzë ka kaluar mbi fshatin Godvi për shkak të erërave të forta dhe terrenit të thyer. Zjarrfikësit, shërbimi pyjor dhe banorët përballen me vështirësi ekstreme në përpjekjet për ta shuar.

Autoritetet vendore kërkojnë ndihmë ajrore për të frenuar përhapjen e flakëve, ndërsa dëmet në pyje dhe pasuri natyrore po rriten çdo ditë.