Vendosni fjalën kyçe....

Tatimet intensifikojnë aksionin për formalizimin e tregut bujqësor dhe blegtoral


Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar vijimin me intensitet të aksionit për formalizimin dhe garantimin e sigurisë ushqimore në tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë.

Në deklaratën zyrtare thuhet se rezultatet e tri ditëve të para të këtij aksioni kanë treguar nevojën urgjente për ndërhyrje dhe përmirësim të standardeve, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe rritjen e cilësisë së produkteve.

“Formalizimi i tregut bujqësor dhe blegtoral është i domosdoshëm për të garantuar sigurinë ushqimore dhe për të mbrojtur konsumatorët,” thuhet në njoftim.

Administrata Tatimore u bën thirrje tatimpaguesve të respektojnë legjislacionin në fuqi, duke lëshuar faturë fiskale në çdo hallkë të zinxhirit – nga prodhimi te shitja me pakicë. Sipas institucionit, lëshimi i faturës fiskale siguron gjurmueshmëri, transparencë dhe kontroll më të mirë të cilësisë së produkteve.

Aksioni është pjesë e një strategjie të gjerë për uljen e informalitetit dhe rritjen e sigurisë në një sektor që ka ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve.