Vendosni fjalën kyçe....

Shefi i ri i NATO-s konfirmon: Sistemet Patriot nisen drejt Ukrainës


Përgatitjet për dërgimin e sistemeve raketore Patriot në Ukrainë janë në fazë të avancuar, konfirmoi të enjten komandanti i ri i lartë i NATO-s në Evropë (SACEUR), gjenerali amerikan Alexus Grynkewich. Ai theksoi se përforcimi i mbrojtjes ajrore të Ukrainës është urgjent, ndërsa sulmet ruse vazhdojnë të intensifikohen.

Duke folur në selinë e NATO-s në Belgjikë, gjatë ceremonisë ku mori zyrtarisht postin nga gjenerali në largim Christopher Cavoli, Grynkewich tha se udhëzimi nga aleatët është i qartë:

“Nuk do të zbulojmë për Rusinë apo për të tjerët numrin apo kohën e saktë të dërgesave, por mund të them se përgatitjet janë duke vazhduar me intensitet. Po punojmë ngushtë me Gjermaninë për transferimin e sistemeve Patriot dhe udhëzimi që kemi marrë është të veprojmë sa më shpejt.”

Ai shtoi se disa sisteme Patriot të stacionuara tashmë në Evropë mund të zhvendosen menjëherë në Ukrainë, ndërsa ato do të zëvendësohen më pas nga prodhimi amerikan, përcjell Guardian.

Ish-pilot luftarak dhe tani komandant i lartë i NATO-s në Evropë, Grynkewich theksoi se mbrojtja ajrore është “prioritet absolut”, duke marrë parasysh shkallën e sulmeve ruse me raketa dhe dronë.

Edhe në rast të një zgjidhjeje paqësore për luftën në Ukrainë, ai paralajmëroi se Rusia do të mbetet kërcënim për NATO-n:

“Edhe nëse arrihet paqja, kapacitetet ushtarake të Rusisë do të ringrihen. Vetëm prania e tyre fizike do të përbëjë kërcënim për Aleancën dhe për vlerat tona. Në mendimin tim, Rusia do të mbetet një kërcënim i përhershëm.”

Grynkewich gjithashtu paralajmëroi për mundësinë e shpërthimit të dy konflikteve njëkohësisht – një në Evropë dhe një tjetër në Paqësor – duke përmendur mundësinë që presidenti kinez Xi Jinping të koordinohet me presidentin rus Vladimir Putin përpara një sulmi të mundshëm ndaj Tajvanit.

“E kemi dëgjuar të gjithë vitin 2027 si momentin kur Xi mund të jetë gati të veprojë. Ai mund ta marrë në telefon Putinin përpara se të kalojë ngushticën e Tajvanit. Kjo do të thotë që të dy konfliktet mund të shpërthejnë njëkohësisht. Kemi nevojë për çdo copë pajisje dhe municion që kemi. Koha është thelbësore.”

Në ceremoninë zyrtare morën pjesë edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Aleancës, duke nënvizuar rëndësinë strategjike të këtij tranzicioni në një moment vendimtar për sigurinë euroatlantike.