Vendosni fjalën kyçe....

“Kisha në Gaza u godit gabimisht, po e hetojmë incidentin” – Netanyahu pas telefonatës me Trump


Pas një telefonate nga presidenti i SHBA-së Trump, kryeministri izraelit Netanyahu shprehu keqardhje të thellë të enjten për sulmin aksidental ndaj Kishës Katolike të Familjes së Shenjtë në Gaza që vrau tre persona dhe plagosi 10 të tjerë.

Në një deklaratë zyrtare, Netanyahu tha se kisha u godit gabimisht dhe shprehu keqardhje për ngjarjen.

“Çdo jetë e pafajshme e humbur është një tragjedi”, thuhej në deklaratë. Ai theksoi se Izraeli po heton ngjarjen dhe mbetet i përkushtuar për të mbrojtur civilët dhe vendet fetare.

Më herët të enjten, Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Leavitt, konfirmoi se Trump e telefonoi Netanyahun për të diskutuar sulmin. Leavitt tha se reagimi i Trumpit “nuk ishte një reagim pozitiv” dhe se Netanyahu pranoi të lëshonte një deklaratë duke pranuar se sulmi ishte një gabim, shkruan Ynet.

IDF tha në një deklaratë më vonë në mbrëmje: “Një hetim fillestar mbi raportet në lidhje me individë të plagosur në Kishën e Familjes së Shenjtë në Qytetin e Gazës, sugjeron se copëza nga një predhë e qëlluar gjatë veprimtarisë në zonë goditën gabimisht kishën. Shkaku i incidentit është duke u shqyrtuar. IDF i drejton sulmet e saj vetëm ndaj objektivave ushtarake dhe bën çdo përpjekje të mundshme për të zbutur dëmin ndaj civilëve dhe strukturave fetare, dhe shpreh keqardhje për çdo dëm të paqëllimshëm të shkaktuar ndaj tyre”.

Patriarkana Latine e Jerusalemit, e cila mbikëqyr kishën, konfirmoi se disa persona u plagosën, përfshirë Romanellin. Prifti i komunitetit të kishës, Ati Gabriela Romanelli, i cili e kishte informuar rregullisht Papën Leo për zhvillimet e luftës, u plagos lehtë në këmbë, thanë zyrtarët.

Sulmi shkaktoi dënim të menjëhershëm ndërkombëtar. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni e quajti sulmin “të papranueshëm”. Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, dënoi bombardimin e kishës, e cila mbrohet nën kujdestarinë historike të Francës, duke shprehur solidaritet me Patriarkun Latin të Jerusalemit dhe duke i quajtur sulmet “të patolerueshme”.