
Kryeministri britanik Keir Starmer dhe kancelari gjerman Friedrich Merz kanë nënshkruar sot një traktat të ri miqësie dhe bashkëpunimi, i cilësuar si marrëveshja e parë dypalëshe midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë që nga Lufta e Dytë Botërore, përcjell Guardian.
Ceremonia u mbajt në muzeun V&A në Londër, ku Starmer e përshkroi marrëveshjen si “shumë të veçantë” dhe theksoi rëndësinë historike të saj.
“Është një privilegj të të kemi sot këtu, veçanërisht për të nënshkruar këtë Traktat të Kensingtonit, një traktat shumë i veçantë, sepse është i pari i këtij lloji ndonjëherë, nëse mund ta besosh, mes dy vendeve tona,” tha Starmer gjatë nënshkrimit.
Traktati synon forcimin e bashkëpunimit politik, ekonomik, ushtarak dhe kulturor mes dy vendeve në një periudhë sfidash të përbashkëta në Evropë dhe më gjerë.