
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka pritur sot në selinë e PD Patrick Voller, Drejtorin për Marrëdhëniet me Jashtë të Partisë Popullore Europiane (EPP). Takimi, i zhvilluar në një atmosferë miqësore dhe të hapur, u përqendrua në zhvillimet politike në Shqipëri.
Përmes një postimi në Facebook, Berisha tha se e ka informuar Voller për atë që e cilësoi si “realitet dramatik që po përjeton Shqipëria nën narko-regjimin e Edi Ramës”, duke akuzuar mazhorancën për kapje të institucioneve dhe manipulim zgjedhor.
Ai u ndal veçanërisht te zgjedhjet e 11 majit, të cilat i konsideroi si “farsë elektorale”, ku, sipas tij, u përdorën patronazhistët, teknologjitë e manipulimit dhe ndikimi i karteleve të drogës për të orientuar rezultatin në favor të mazhorancës.
Berisha falënderoi përfaqësuesit e EPP për mbështetjen e dhënë opozitës shqiptare, duke përmendur Presidentin Manfred Weber dhe eurodeputetët Michael Gahler dhe David McAllister. Ai shtoi se është në pritje të ngritjes së një grupi të posaçëm të EPP që do të vizitojë Shqipërinë për të ndjekur nga afër situatën politike në vend.