Vendosni fjalën kyçe....

Aksion për lirimin e hapësirave publike pranë “Arenës Kombëtare”, 7 administratorë lokalesh procedohen penalisht


Policia e Tiranës ka ndërmarrë një aksion për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme në zonën përreth stadiumit “Arena Kombëtare”. Si rezultat i operacionit, 7 administratorë lokalesh janë proceduar penalisht, ndërsa janë sekuestruar rreth 330 objekte të vendosura pa leje, si tavolina, ulëse dhe çadra.

Në kuadër të aksionit është proceduar edhe një 40-vjeçar, punonjës i një prej lokaleve, i cili kundërshtoi punonjësit e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) gjatë ndërhyrjes për lirimin e hapësirës.

Sipas Policisë, subjektet kishin zënë në mënyrë të paligjshme trotuaret dhe vendkalimet për këmbësorët, duke penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Aksioni është zhvilluar nga Komisariati Nr. 1 në bashkëpunim me Policinë Bashkiake dhe IMT-në. Personat ndaj të cilëve është nisur procedimi penal në gjendje të lirë janë shtetasit A. S., N. R., Xh. B., M. S., K. M., L. L. dhe B. K., të akuzuar për “Pushtim toke”. Ndaj shtetasit F. P. është ngritur akuza për kundërshtim të punonjësit të shtetit.