Vendosni fjalën kyçe....

Sulmi ajror rus vret 2 persona dhe plagos 27 të tjerë në Ukrainë



Një sulm ajror i ushtrisë ruse në qytetin Dobropillia të Ukrainës lindore ka shkaktuar vdekjen e dy personave dhe plagosjen e të paktën 27 të tjerëve. Ngjarja ndodhi pasditen e së mërkurës, kur një bombë 500-kilogramëshe goditi një qendër tregtare dhe treg në zonën pranë vijës së frontit, përcjell REL.

Guvernatori i rajonit të Donjeckut, Vadym Filashkin, konfirmoi se bombardimi ndodhi në orën 17:20, një kohë kur qytetarët ndodheshin në dyqane dhe zona tregtare.

“Zjarrfikësit po shuajnë zjarrin pasi ekziston mundësia që ende të ketë njerëz brenda qendrës tregtare,” tha Filashkin për televizionin ukrainas, duke theksuar se sulmi ndodhi në një moment kur qyteti ishte plot me njerëz.

Pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë flakë dhe tym që përfshin zonën përreth qendrës tregtare, si dhe dëme masive në infrastrukturë. Sipas guvernatorit, janë shkatërruar ose dëmtuar tetë blloqe banimi, tetë automjete dhe rreth 30 stenda tregtare.

Shërbimet kombëtare të emergjencës së Ukrainës e kanë përditësuar bilancin e të plagosurve në 27 persona, ndërsa mbetet e paqartë nëse mund të ketë ende njerëz nën rrënoja.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në fjalimin e tij të përnatshëm me video, reagoi me tone të ashpra ndaj sulmit:

“Ky është thjesht terrori i tmerrshëm dhe idiot i Rusisë. Nuk ka asnjë logjikë ushtarake në këto sulme, vetëm përpjekje për të marrë sa më shumë jetë njerëzish.”

Dobropillia ndodhet në veriperëndim të Pokrovskut, një zonë strategjike ku Rusia ka përqendruar ofensivën e saj prej muajsh në përpjekje për të avancuar në drejtim të perëndimit të Donjeckut.

Ky nuk është sulmi i parë ndaj qytetit: në muajin mars, një sulm i kombinuar me raketa, dronë dhe raketahedhës në të njëjtën zonë kishte lënë 11 viktima, përfshirë pesë fëmijë.

Autoritetet ukrainase e kanë cilësuar këtë bombardim si një tjetër krim lufte i qëllimshëm ndaj civilëve, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të reagojë me masa më të forta ndaj agresionit rus.