
Menjëherë pas paralajmërimit të bërë nga Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, autoritetet kanë nisur zbatimin e masave për lirimin e hapësirave publike, duke ndërhyrë konkretisht në zonën pranë stadiumit kombëtar “Air Albania”.
Mjetet e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), të shoqëruara nga forca të shumta të policisë bashkiake dhe Policisë së Shtetit, janë angazhuar në terren, ku kanë ndërhyrë për të liruar zonën përreth stadiumit, e cila ishte zënë nga karrige dhe tavolina të lokaleve që ndodhen në katin përdhes të godinës.
Sipas pamjeve të siguruara nga BalkanWeb, autoritetet kanë rrethuar me shirit sigurie pjesën përreth stadiumit dhe kanë nisur aksionin për lirimin e sipërfaqeve të pushtuara në mënyrë të paligjshme.
Ky veprim vjen si pjesë e një aksioni më të gjerë për rikthimin e hapësirave publike në funksion të qytetarëve, për të shmangur bllokimin e trotuareve dhe shesheve nga subjektet private, veçanërisht në zonat urbane me fluks të lartë.