
Kryetari i Bashkisë së Fushë Arrëzit, Hil Curri, ka deklaruar se nuk do të ndërmarrë shkarkime të nënkryetarëve dhe administratorëve, ndryshe nga porosia e Kryeministrit Edi Rama, e dhënë për të gjitha bashkitë. Sipas Currit, nuk ka pasur asnjë problem me performancën e stafit aktual, ndërsa theksoi se zona që ai drejton përballet me mungesë të theksuar të burimeve njerëzore.
“Nënkryetarët dhe administratorët janë të lëvizshëm, por unë deri tani nuk kam ndonjë konstatim që puna e tyre nuk ka qenë e duhura. Ishte një porosi e përgjithshme nga Rama, por jo të gjitha bashkitë kishin të njëjtin problem dhe ne si bashki nuk e kemi këtë problem,” – deklaroi ai.
Në komentet e tij, Curri bëri të ditur se fokusi i tij nuk është rotacioni i kuadrit, por garantimi i shërbimeve për banorët, dhe për këtë është i gatshëm të bashkëpunojë me qeverinë qendrore, pavarësisht përkatësisë politike.
“Rama është kryeministri i vendit, pavarësisht bindjeve politike. Pushteti vendor e ka për detyrë të bashkëpunojë dhe t’u shërbesh banorëve arrihet vetëm përmes bashkëpunimit,” – tha Curri.
Në vend të ndryshimeve në administratë, Curri i bën thirrje qeverisë që të mbështesë projektet energjetike në zonë, përmes dhënies së lejeve për ndërtimin e parqeve eolike dhe fotovoltaike. Ai argumenton se këto projekte do të krijonin punësim, do të ndihmonin në uljen e varfërisë dhe do të sillnin të ardhura për vetë bashkinë.
“Shpresojmë te mbështetja e qeverisë për dhënien e lejeve për parqet eolike dhe ato fotovoltaike për kompanitë e interesuara. Kjo do t’i hapte rrugë zhvillimit të bashkisë, do të krijonte vende pune, do të zbutte varfërinë dhe do të siguronte të ardhura për bashkinë,” – tha ai.