
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka rrëzuar Komisionin e Pavarur të Kualifikimit lidhur me prokuroren Elona Alvora.
KPK-ja e kishte konfirmuar në detyrë Alvorën në vendimin e marrë më 7 qershor 2022.
Me vendimin e sotëm, KPA-ja e pezullon Alvorën për një vit nga detyra duke e detyruar të shkojë në Shkollën e Magjistraturës për të ndjekur programin e trajnimit sipas kurrikulave të miratuara.
Njoftimi
“Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Rezarta Schuetz relatore, Albana Shtylla, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 39/2022, datë 07.09.2022, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 538, datë 07.06.2022, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Elona Alvora.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenet 44, germa “b” dhe 66, pika 1, germa “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 538, datë 07.06.2022, që i përket subjektit të rivlerësimit Elona Alvora.
Pezullimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Elona Alvora për një periudhë njëvjeçare dhe detyrimin për të ndjekur programin e trajnimit, sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës. Ky vendim ka efekt të menjëhershëm. U shpall në Tiranë, sot, më datë 16.07.2025.”