
Sekretari i Partisë së Lirisë dhe deputet i zgjedhur në listat e mbyllura të PD-së në zgjedhjet e 11 majit, Tedi Blushi, akuzoi institucionet shtetërore për mënyrën si po trajtohet në burg kreu i PL-së, Ilir Meta.
Ai deklaroi se ndaj Metës nuk ka asnjë provë që të justifikojë izolimin e tij të skajshëm ndërsa akuzoi se po i shkelen të drejtat bazë si i paraburgosur.
“Ilir Meta mbahet pa prova në një izolim të plotë. I janë mohuar të gjitha të drejtat. Nuk i lejohet të takojë familjarë, deputetë, drejtues të partisë, madje edhe telefonin që e kishte të regjistruar në mënyrë të ligjshme ia kanë hequr,” tha Blushi në News24.
Ai shtoi më tej se edhe pse ka leje të posaçme nga SPAK për të takuar Metën si drejtues i Partisë së Lirisë, kjo leje është anuluar pa asnjë njoftim zyrtar.
“Kam një autorizim nga SPAK për të takuar Ilir Metën, por më është hequr pa dhënë asnjë arsye. Madje edhe avokatit i ndalohet ta takojë në mënyrë të rregullt,” shtoi Blushi.
Në fund deputeti ironizoi institucionet se i kanë kthyer burgjet në bordello ku ku hyjnë e dalin eskortat ndërsa kreut të një partie opozitare i ndalohet edhe takimi me familjen.
“Shikoni çfarë ndodh sot në burgjet e vendit! Janë kthyer në kuplara, nuk ka ngelur eskortë pa shëtitur lartë e poshtë me individë me rrezikshmëri të lartë. Ndërsa një drejtues opozitar nuk lejohet të shohë as familjen,” deklaroi Blushi.