Vendosni fjalën kyçe....

Një grup mirditorësh nisen drejt Thethit, solidarizohen me banorët që iu prishën bizneset


Në Theth po vijon sot aksioni i IKMT-së dhe Policisë, ku pritet të shembet me tritol objekti i fundit pa leje, një ndërtesë trekatëshe që shënon përmbylljen e prishjeve në zonën turistike. Operacioni ka shkaktuar tensione të shumta me banorët e Dukagjinit gjatë ditëve të fundit.

Paralelisht, një grup qytetarësh dhe aktivistësh nga Mirdita janë nisur drejt Thethit për të shprehur mbështetjen e tyre. Të bashkuar nën moton “Mirdita solidarizohet me Dukagjinin”, ata theksojnë se bëhet fjalë për një thirrje ndaj opinionit publik për ndërgjegjësim dhe solidaritet me banorët e zonës.

“Ne po shkojmë të solidarizohemi me ta, të u themi se jemi me ta, vuajmë dhimbjen e tyre,” – tha një prej tyre.

Një tjetër e cilësoi aksionin si “masakër”, duke akuzuar qeverinë për shkatërrim të pronës së trashëguar ndër breza.

“Kur shteti kthehet në agresor, populli mbron tokën me kanun. Nuk është tokë e xanun, është tokë e trashëguar, e vaditur me gjak. Kryeministri i premtoi para votimeve dhe tani ua shemb. Nuk ka pabesi më të madhe se kjo,” – u shpreh një prej qytetarëve.

Mirditorët theksuan se nuk synojnë përplasje me forcat e rendit, por të japin mbështetje për banorët që, sipas tyre, po përballen me padrejtësi dhe dhunim të pronës. Ata thonë se qeveria është kthyer në agresor.

“ Nuk është tokë e xanun, është tokë e trashëguar, që e kanë mbrojtur me breza, tokë e vaditur me gjak. Shkoi ky t’jua prishë me ca policë partie që i ka trajnuar për të sulmuar dhe sjellë në atë mënyrë siç u sollën. Ne do të shkojmë në mbështetje të atyre njerëzve që sot ka nevojë. Kur shteti nuk ekziston, bajraku dhe njerëzit e mençur do ta drejtojnë vendin.”, u shpreh një banor tjetër i Mirditës.

Ish-deputeti Kujtim Gjuzi ka reaguar ashpër ndaj aksionit të IKMT-së dhe Policisë në Theth, ku po shemben ndërtimet pa leje. Gjuzi, i cili së bashku me disa mirditorë është nisur drejt zonës për të mbështetur banorët, e ka cilësuar veprimin e qeverisë si “krim bastard” dhe “prerje në besë”, duke kërkuar që kryeministri Edi Rama të dëmshpërblejë një për një të gjithë banorët, të cilëve u janë shembur shtëpitë prej druri.

Ai u shpreh se Thethi është pjesë e komunitetit që ka mbrojtur identitetin kombëtar dhe i kërkoi Ramës të lexojë “Kanunin e Lekë Dukagjinit”, duke e akuzuar se ka bërë një gabim të rëndë që duhet ta ndreqë.

“Ne si konservatore jemi përgjigjur thirrjes së Zef Gonajt për të qenë në Theth. Thethi është i thethianëve i komunitetit katolik dhe nëse ne flasim shqip sot dhe nuk flasim serbisht apo greqisht është pikërisht se këto zona ekanë mbrojtur vendin.

Të shkosh në Dukagjin dhe të shembësh shtëpitë e të tjerëve pasi u ke thënë shtëpitë do ti gëzoni, kjo nuk quhet vetëm prerje në besë, por kjo është një krim bastard.

Unë nuk kam çfarë ftesë ti bëj Ramës, që zotëria duhet të mësojë dhe të lexojë kanunin e Lek Dukagjinit. Mesa duket akoma ai nuk e kupton se ku ka futur jo vetën, pro ka futur të gjithë familjen e tij. Kjo nuk është kërcënim, por është për ti thënë që ke bërë një gabim që duhet ta dëmshpërblesh.

Të dëmshpërblejë të gjithë ku ka vënë fadromë. Atij vëllait Çam duhet të kërkojë falje, të gjithë ata njerëzve që i ka sharë me libër shpie”, tha Gjuzi.