Vendosni fjalën kyçe....

Merr zjarr një depo në Lipjan, nuk dihen ende shkaqet


Një depo në qytetin e Lipjanit është përfshirë nga flakët pasditen e sotme, duke shkaktuar alarm dhe ndërhyrje të menjëhershme nga njësitë emergjente. Ngjarja ka sjellë mobilizim të plotë të zjarrfikësve lokalë, të cilët janë në terren dhe po punojnë intensivisht për të vënë situatën nën kontroll.

Lajmin e ka konfirmuar për mediat Komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve në Lipjan, Sadri Shamolli.

“Jemi në terren dhe po angazhohemi për shuarjen e zjarrit. Po ashtu jemi duke u përpjekur që të mos lejojmë përhapjen e tij në objektet përreth,” deklaroi Shamolli.

Deri më tani nuk dihen ende shkaqet e zjarrit dhe as shkalla e dëmeve materiale të shkaktuara. Fatmirësisht, nuk është raportuar për ndonjë të lënduar.

Zjarrfikësit po vazhdojnë përpjekjet për të izoluar flakët dhe për të shmangur dëme të mëtejshme në zonën përreth. Më shumë detaje pritet të bëhen të ditura pas vlerësimit të plotë të situatës.