Vendosni fjalën kyçe....

Frenohet rritja e biznesit të kredive të vogla



Rritja e sektorit të mikrokredisë u ngadalësua vitin e kaluar.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se portofoli total i huasë nga institucionet e licencuara për mikrokredi në fund të 2024 arriti në 24.1 miliardë lekë, 3.9% (rreth 0.9 miliardë lekë) më shumë krahasuar me një vit më parë.

Rritja e kredisë është ngadalësuar ndjeshëm krahasuar me nivelin prej 29% (rreth 5.2 miliardë lekë) të vitit 2023. Megjithëse në tërësi ecuria e kredisë për ekonominë vitin e kaluar ishte pozitive, kjo rritje për sektorin e mikrofinancës është frenuar dukshëm.

Me sa duket, skandali i mikrokredivedhe nisja e një cikli të shtrëngimi rregullator nga Banka e Shqipërisë kanë dhënë efekte qysh vitin e kaluar në volumin e kredidhënies nga institucionet mikrofinanciare.

Vitin e kaluar, dy institucionet financiare jobanka, Micro Credit Albania dhe Final, u bënë objekt i një çështjeje penale të çuara për gjykim nga Prokuroria e Tiranës, të akuzuara për shkelje të shumta ligjore në procesin e mbledhjes së kredive të këqija.

Në vijim, Banka e Shqipërisë vendosi heqjen e licencës për të dy këto institucione.  Megjithëse në vetvete rasti lidhej me kompani të mbledhjes së borxheve të këqija, kjo çështje solli një dëm në imazh edhe për institucionet mikrofinanciare, kryesisht të kredive të shpejta.

Çështja në fjalë u bë shkak edhe për një shtrëngim të fortë në kuadrin rregullator të lidhur me mikrofinancën. Masat e reja të Bankës së Shqipërisë hynë në fuqi nga fillimi i këtij viti, por megjithatë duket se ngjarjet e mësipërme kanë sjellë një frenim të rritjes së shpejtë disavjeçare të aktivitetit të mikrokredive konsumatore.

Ndryshimet rregullatorë kanë vendosur për herë të parë disa kritere të detajuara, duke përfshirë edhe tregues sasiorë, në praktikat e administrimit të rrezikut në huadhënien konsumatore nga institucionet financiare jobanka.

Një institucion financiar jobankë nuk do të lejohet të japë në të njëjtën kohë më shumë se dy kredi konsumatore për të njëjtin huamarrës. Gjithashtu, është përcaktuar edhe një nivel tavan në raportin e shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave (DSTI), që do të llogaritet si vlera e totalit të kësteve mujore të kredive ekzistuese, duke përfshirë edhe kredinë për të cilën po aplikohet, të pjesëtuar me të ardhurat neto të të gjithë bashkëkredimarrësve.

Vlera e raportit të shërbimit të borxhit kundrejt të ardhurave nuk duhet të tejkalojë vlerën prej 60%. Gjithashtu, banka e Shqipëris miratoi edhe disa ndryshime në formulën e llogaritjes së normës maksimale efektive të interesit (NEI Maksimal) për kreditë e vogla konsumatorë deri në 200 mijë lekë.

Këto ndryshime kanë sjellë një ulje të ndjeshme të NEI-t maksimal, që në gjysmën e dytë të këtij viti zbriti në 62.2%. Sipas informacionit të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit të kaluar në Shqipëri vepronin shtatë institucione financiare të licencuara për veprimtarinë e mikrokredisë.

Megjithatë, vlerësohet se në pjesën dërrmuese portofoli i mikrokredisë i takon dy institucioneve më të mëdha mikrofinanciare në vend, Iutecredit Albania dhe ECFA (ish-Kredo Finance).

VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.