
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Saar, përpara samitit BE-MENA, tha se ndryshimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe shpartallimi i boshtit radikal mund të hapin rrugën për një aleancë më të gjerë të stilit të Marrëveshjes së Abrahamit. Ai gjithashtu përshëndeti pjesëmarrjen e Sirisë në samit.
Saar tha gjithashut se vendi i tij nuk ‘ka asnjë qëllim’ për të kontrolluar Gazën afatgjatë, duke shtuar se shteti hebre ka “vetëm shqetësime sigurie” për Rripin e Gazës, shkruan Haaretz.
“Ne nuk kemi asnjë qëllim ta bëjmë këtë. Lidhur me Rripin e Gazës, ne kemi vetëm shqetësime sigurie”. – tha Sa’ar.
Por Sa’ar tha se lëvizja terroriste palestineze Hamas “nuk mund ta kontrollojë Rripin e Gazës” dhe “nuk mund të jetë pjesë e së ardhmes së Gazës”.
“Nëse Hamasi është gati të lëshojë armët, nëse është gati të çmilitarizojë Rripin e Gazës, ne mund ta bëjmë këtë në një rrugë politike”, tha ai.
Zyra e ministrit të jashtëm të Izraelit tha se, përveç takimit ministror, Gideon Saar do të zhvillojë bisedime me diplomaten më të lartë të BE-së, Kaja Kallas, dhe komisioneren e bllokut për Mesdheun, Dubravka Suica.
Diplomatët më të lartë izraelitë dhe palestinezë do merrnin pjesë në një takim në Bruksel midis BE-së dhe fqinjëve të saj jugorë të hënën, por Autoriteti Palestinez mohoi pretendimet se të dy do të takoheshin.
Në një deklaratë, zyra tha se takimi në Bruksel synonte të “prezanonte një kartë të re për bashkëpunim rajonal në Mesdhe në fushat e mjedisit, ekonomisë dhe biznesit, duke i shërbyer sigurisë, paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm në rajon”.