Vendosni fjalën kyçe....

Plagosje me armë zjarri në Valias, arrestohen dy persona, mes tyre edhe i dëmtuari



Një
34-vjeçar, Franci Xhaferri, është plagosur me armë zjarri në një lokal të zonës pasditen e djeshme në Valias. Ngjarja ka alarmuar banorët dhe ka vënë në lëvizje forcat e rendit.

Sipas Policisë së Tiranës, Besnik Koçiu, 51 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me pistoletë ndaj fqinjit të tij, duke e plagosur në këmbë. Viktima është dërguar me urgjencë në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, sipas burimeve mjekësore.

Pas hetimeve të shpejta nga Komisariati Nr. 5, policia arrestoi autorin e dyshuar dhe gjatë kontrollit në banesën e tij sekuestroi edhe armën e zjarrit, që dyshohet se është përdorur në plagosje.

Surprizë ka qenë edhe arrestimi i të plagosurit, Franci Xhaferri, i cili sipas autoriteteve, ka refuzuar të bashkëpunojë me hetimin dhe nuk ka dhënë informacion për rrethanat e ngjarjes apo autorin, duke penguar hetimin zyrtar.

Të dy personat tashmë ndodhen në pranga, ndërsa materialet i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, që ka nisur veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rastit. Hetimet vijojnë për të përcaktuar motivin dhe detajet e konfliktit.