Vendosni fjalën kyçe....

Kosovë – Dështon sërish seanca për konstituimin e Kuvendit



Seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka dështuar edhe këtë të diel, për shkak të mungesës së konsensusit ndërmjet subjekteve politike lidhur me krijimin e Komisionit për Votim të Fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, u bëri thirrje partive që ende nuk kanë paraqitur emrat e tyre për anëtarë të komisionit që ta bëjnë këtë, por thirrja u injorua sërish nga deputetët e disa partive. Në vend të kësaj, deputetë të opozitës kërkuan që të rikthehet diskutimi për pikat e rendit të ditës, por ndërhyrja e tyre në foltore u ndërpre nga regjia me kërkesë të kryesuesit, me arsyetimin se në një seancë konstituive nuk lejohet debat parlamentar.

Gjatë votimit për formimin e Komisionit për Votim të Fshehtë, nga 85 deputetë të pranishëm në sallë, vetëm 43 votuan pro. Nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim, pasi pjesa tjetër e deputetëve refuzuan të marrin pjesë në votim – një taktikë e përsëritur gjatë përpjekjeve të fundit për konstituim.

Për shkak të mungesës së votave të nevojshme për formimin e komisionit, Dehari njoftoi ndërprerjen e seancës, e cila pritet të rifillojë pas 48 orësh.