
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 18 vatra zjarri në disa bashki të vendit. Dy prej tyre mbeten aktive, ndërsa dy të tjera janë nën monitorim nga strukturat përkatëse.
Zjarret janë evidentuar në bashkitë: Bulqizë, Dibër, Rrogozhinë, Përmet, Pogradec, Sarandë, Vlorë, Lezhë, Mirditë, Kurbin, Kuçovë, Berat, Librazhd, Fier dhe Malësi e Madhe.
Vatrat aktive
Dibër – Parku Kombëtar i Lurës
Në zonën e njohur si “Liqeni i Luleve” në Parkun Kombëtar Lurë, vazhdon përpjekja për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë një sipërfaqe prej rreth 30 hektarësh me pisha dhe livadh. Në terren janë angazhuar mbi 60 forca, përfshirë efektivë të MZSH-së, Forcat e Armatosura dhe një helikopter Cougar.
Tiranë – Rrogozhinë
Në fshatin Zambish dhe zonat përreth, zjarri është përhapur për shkak të erës, duke rrezikuar përkohësisht banesat në disa fshatra. Në operacionin për shuarjen e flakëve janë përfshirë përforcime nga MZSH, forca vullnetare dhe helikopterë të ushtrisë. Përpjekjet për shuarje vijojnë edhe sot.
Vatrat nën monitorim
Lezhë – Kurbin
Në kufirin midis fshatrave Skuraj dhe Gallatë, njësia Milot, është djegur një sipërfaqe prej 23 hektarësh. Terreni i vështirë ka penguar ndërhyrjen e shpejtë, por situata është vënë nën kontroll dhe mbetet nën vëzhgim.
Elbasan – Librazhd
Në zonën “Mal Plak”, bashkia Librazhd, është ndërhyrë për një vatër zjarri me intensitet të ulët në një zonë pyjore. Forcat lokale dhe vullnetarë kanë punuar për izolimin e flakëve, ndërsa vatra është në fazën e monitorimit.
Bilanci në total
79 hektarë sipërfaqe me pyje, shkurre dhe bimësi janë djegur.
Në Mirditë, zjarri ka përfshirë edhe një banesë private në fshatin Tarazh, ku janë djegur kuzhina dhe salloni. Shkaku mbetet ende i paqartë.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 268 forca operacionale, 26 automjete zjarrfikëse, si dhe 2 helikopterë Cougar të Forcave të Armatosura.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave, sot pritet rrezik i lartë për zjarre në qarqet Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier dhe Berat, si dhe rrezik i moderuar në pjesën tjetër të vendit. Struktura e Mbrojtjes Civile mbetet në gatishmëri të plotë për ndërhyrje të menjëhershme.