Vendosni fjalën kyçe....

Zjarri në Parkun Kombëtar të Lurës vazhdon të jetë jashtë kontrollit, në terren ndërhyn edhe helikopteri i ushtrisë


Prej më shumë se një jave, situata në Parkun Kombëtar të Lurës mbetet kritike për shkak të një zjarri të fuqishëm që vijon të përhapet në një zonë të thepisur dhe të vështirë për ndërhyrje. Terreni i thyer dhe era e fortë kanë penguar ndjeshëm përpjekjet për të izoluar flakët, të cilat kanë përfshirë pyje me drurë ahu, pisha dhe bimësi të rrallë.

Për të përballuar situatën, këtë të shtunë është angazhuar një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes që ka ndërhyrë nga ajri për të shuar flakët në zonat më të paarritshme tokësisht. Ndërhyrja ajrore ka pasur për qëllim lehtësimin e përpjekjeve të forcave tokësore për të fituar kontroll mbi vatrat aktive.

Sipas informacioneve nga terreni, aktualisht janë dy vatra aktive që vijojnë të përhapen të ndihmuara nga kushtet atmosferike. Flakët po avancojnë me rrezik, duke kërcënuar një sipërfaqe gjithnjë e më të madhe të parkut natyror.

Në operacionin për shuarjen e zjarrit janë angazhuar forcat zjarrfikëse të MZSH-së, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, të njësisë administrative Lurë, forca vullnetare si dhe efektivë të Forcave të Armatosura. Përpjekjet janë përqendruar në frenimin e përhapjes së zjarrit dhe mbrojtjen e zonave të paprekura.

Edhe pse ende nuk ka një përllogaritje të saktë të dëmeve, vlerësimet paraprake flasin për disa hektarë pyje dhe bimësi të djegura. Autoritetet shprehen të shqetësuara për pasojat afatgjata që zjarri mund të ketë mbi ekosistemin e parkut, një nga zonat më të rëndësishme të trashëgimisë natyrore në vend.

Ndërkohë, u bëhet thirrje banorëve të zonës të shmangin afrimin në zonat e përfshira nga zjarri dhe të bashkëpunojnë me forcat në terren, ndërsa operacioni i shuarjes vijon me intensitet.