
Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në Shkodër, ku një 50-vjeçar është gjetur pa shenja jete brenda një automjeti në pronësi të një subjekti tregtar. Sipas informacionit paraprak nga policia, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:15 në lagjen “Qemal Stafa”.
Trupi i pajetë i shtetasit E. M. u gjet në sediljen e pasagjerit dhe dyshohet se ai ka humbur jetën si pasojë e një arresti kardiak. Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë grupi hetimor, i cili ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Autoritetet thanë se do të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun zyrtar të vdekjes. Deri në këto momente, nuk ka të dhëna për shenja dhune apo elementë që mund të ngrenë dyshime për ngjarje kriminale.