Vendosni fjalën kyçe....

Ekstradohen në Shqipëri tre shtetas të kërkuar ndërkombëtarisht nga Greqia, Belgjika dhe Serbia



Tre shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë
ekstraduar në Shqipëri nga Greqia, Belgjika dhe Serbia, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve të Interpol Tiranës dhe homologëve në Athinë, Bruksel dhe Beograd.

Të ekstraduarit janë:

  • Mikel Hoxha, i njohur edhe si Mikel Papa, u kap në Greqi, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Beratit me 4 vite burgim për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Ai akuzohet për investime në pasuri të paluajtshme dhe transferim të shumave të mëdha parash te të afërmit e tij, të ardhura të siguruara nga shfrytëzimi për prostitucion, për të cilën është dënuar më parë në Itali. Nga ky vendim, Hoxhës i mbeten për të vuajtur 3 vjet e 9 muaj burgim.

  • Armando Gropa, 40 vjeç, u kap në Belgjikë, pasi ishte dënuar nga Gjykata e Apelit Tiranë me 3 vjet e 4 muaj burgim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vitin 2021, ai kishte kultivuar 140 bimë narkotike të llojit Cannabis Sativa në tokën e tij në fshatin Grizë.

  • Suard Onuzi u kap në Serbi, pasi ishte shpallur në kërkim nga Gjykata e Kukësit, e cila në vitin 2023 kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”. Ai akuzohet se ka trafikuar në Shqipëri një automjet tip “Mercedes Benz”, i denoncuar si i vjedhur në Francë.