Vendosni fjalën kyçe....

Zjarr pranë nënstacionit në Gjirokastër, shmanget përhapja drejt banesave


Një zjarr ka rënë mbrëmjen e sotme pranë nënstacionit elektrik të qytetit të Gjirokastrës, duke shkaktuar shqetësim për mundësinë e përhapjes drejt zonave të banuara. Flakët përfshinë një sipërfaqe me barishte të thata jashtë rrethimit të nënstacionit, duke krijuar rrezik për afërsinë me objektet e infrastrukturës energjetike dhe banesat.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje ka mbërritur një automjet zjarrfikës me grupin e ndërhyrjes së shpejtë, i cili ka bërë të mundur kontrollimin e situatës dhe izolimin e flakëve. Sipas autoriteteve, zjarri është neutralizuar në kohë, duke shmangur çdo dëm të mundshëm ndaj nënstacionit apo banesave përreth.

Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe prej rreth 200 metra katrorë me bimësi të thatë, ndërsa nuk raportohet për dëme në ndërtesa apo infrastrukturë. Shkaqet e rënies së zjarrit nuk janë bërë ende të ditura. Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar origjinën dhe faktorët që çuan në përhapjen e flakëve.