Vendosni fjalën kyçe....

Trump viziton Kerrvillin pas përmbytjeve në Teksas që shkaktuan 120 viktima


Presidenti amerikan Donald Trump mbërriti këtë të enjte në Kerrville, Teksas, për të inspektuar nga afër dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e rënda që goditën rajonin fundjavën e kaluar dhe morën jetën e të paktën 120 personave. Aktualisht, 161 persona figurojnë ende të zhdukur.

Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, zbritën fillimisht në bazën ajrore Kelly Field në San Antonio dhe më pas udhëtuan me helikopterin presidencial Marine One drejt Kerrville-it – zona më e goditur nga përmbytjet, përcjell BBC.

Në Kerrville, Trump u prit nga guvernatori i Teksasit Greg Abbott, si dhe nga senatorët republikanë Ted Cruz dhe John Cornyn. Në një tryezë diskutimi me zyrtarë lokalë dhe ekipet e emergjencës, presidenti u informua mbi situatën në terren dhe përgjigjen ndaj fatkeqësisë.

Fotot e publikuara tregojnë Trump dhe Melanian duke biseduar me autoritetet përpara hartave të zonës së dëmtuar, si dhe pranë një kamioni të përmbysur dhe grumbujsh me degë të thara, dëshmi e furisë së ujit që përfshiu qytetin.

Përpara mbërritjes së tij, banorët lokalë kishin dalë në rrugë me flamuj amerikanë dhe pankarta mirëseardhjeje. Disa prej tyre falënderuan presidentin për praninë në këtë moment të vështirë.

Guvernatori Abbott tha më herët se përmbytjet e fundit ishin nga më të rëndat që ka përjetuar ndonjëherë Teksasi: “Askush nuk e priste një mur uji afro 10 metra të lartë,” deklaroi ai.

Ndërkohë, paralajmërimet për temperatura ekstreme dhe mot të keq mbeten aktive në pjesë të ndryshme të shtetit, duke vështirësuar përpjekjet për kërkim dhe shpëtim.