
Kryeministri Edi Rama ka kërkuar gjatë një takimi me kryetarët e bashkive në vend masa për rifreskimin e strukturave drejtuese në bashki, duke përfshirë edhe nënkryetarët.
Ai i ka cilësuar ata të pamotivuar, të konsumuar dhe të rraskapitur në detyrë, duke theksuar se është koha për të sjellë fytyra të reja me energji dhe impuls.
“Është momenti për një rishikim serioz të strukturave drejtuese. Nënkryetarët, për mendimin tim, janë lodhur shumë. I shoh të konsumuar, të përhumbur, pa frymëzim dhe pa gjallëri. Nuk është çështje personale, por një nevojë për të mbajtur gjallë ritmin dhe ambicien në punën e bashkive,” tha Rama.
Ai shtoi se, ndonëse nuk i quan të paaftë, nënkryetarët kanë dhënë atë që kishin për të dhënë dhe është koha për t’i zëvendësuar me energji të freskët.
Në fjalën e tij, Rama iu drejtua drejtpërdrejt disa kryetarëve të bashkive: “Ju e ndjeni vetë – mezi po i mbani në krah. Janë rraskapitur dhe nuk është ndershmëri ndaj qytetarëve të vazhdojnë në detyrë vetëm për inerci. Edhe dy vjet kanë mbetur nga mandati, por ndryshimi është mëse i nevojshëm.”
Kryeministri kërkon që të bëhet një pastrim i thellë dhe ndryshim rrënjësor në nivelet drejtuese të bashkive, për të garantuar një punë më energjike dhe efikase në shërbim të qytetarëve.