Vendosni fjalën kyçe....

Kurti në 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë: Nderojmë viktimat dhe qëndrojmë në krah të së vërtetës


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministret Donika Gërvalla dhe Emilija Rexhepi, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore me rastin e 30-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës, të zhvilluar në Qendrën Memoriale në Potoçari, Bosnje dhe Hercegovinë.

Delegacioni nga Kosova nderoi kujtimin e 8,372 burrave dhe djemve boshnjakë të vrarë nga forcat serbe në korrik të vitit 1995, duke vendosur lule pranë varrezave përkujtimore. Masakra në Srebrenicë mbetet krimi më i rëndë gjenocidal në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Kurti dhe bashkëpunëtorët e tij vizituan gjithashtu ekspozitën “Me hapat e atyre që (nuk) kaluan”, të kuruar nga Aziz Osmanoviç, e cila përmes objekteve personale sjell histori prekëse të viktimave dhe të mbijetuarve të gjenocidit.

Në fjalën e tij, Kurti tha se masakra e Srebrenicës është dëshmi e tmerrit që solli regjimi i Slobodan Millosheviçit dhe paralajmërim i qartë për qëllimet gjenocidale të Serbisë, të cilat sipas tij janë manifestuar edhe në Kosovë. Ai theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për ruajtjen e kujtesës historike, respektimin e viktimave dhe luftën për të vërtetën.