
Ish-shefi i krimeve në komisariatin nr. 3 në Tiranë, Erjon Dani, është vetëdorëzuar në policinë e Himarës pasi ka mësuar nga mediat se ndaj tij ishte lëshuar një urdhër-arresti nga SPAK.
Sipas raportimit të gazetares Klodiana Lala për News24, Dani dyshohet për veprat penale të “ndikimit të paligjshëm” dhe “shpërdorimit të detyrës” gjatë kohës që ka qenë pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit.
Vetëdorëzimi i tij erdhi pas një operacioni të gjerë të SPAK kundër një grupi kriminal të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, që transportonte lëndë narkotike nga Amerika Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian. Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar 8 persona, ndërsa 5 të tjerë janë ende në kërkim.
Zbulimi i këtij rrjeti është bërë i mundur falë dekriptimit të komunikimeve të grupit në aplikacionin e koduar SKY ECC, një platformë e përdorur nga organizatat kriminale për të shmangur përgjimet dhe për të komunikuar në fshehtësi.
Erjon Dani dyshohet se ka pasur kontakte apo ndërveprime me këtë grup kriminal dhe për këtë arsye është përfshirë në hetimet e SPAK.