
Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka bërë të ditur se UNESCO ka përgatitur një projektvendim që parashikon shpalljen e Liqenit të Ohrit si pasuri botërore në rrezik.
Gjatë një konference për shtyp nga selia blu, Zhupa deklaroi se ky zhvillim përbën një shuplakë për qeverinë shqiptare dhe Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), të cilët po promovojnë projekte ndërtimore në zonën e Parkut të Drilonit dhe Tushemishtit.
“Fatkeqësisht, ajo që kemi paralajmëruar prej kohësh ka ndodhur. Është një nga ato raste kur nuk do të doje të kishe të drejtë, por askush nuk i dëgjoi vendimet e mëparshme të UNESCO-s dhe kundërshtimet tona publike. Në projektvendimin që po diskutohet në Sesionin e 47-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, UNESCO, pasi ka shprehur disa herë që nga viti 2020 shqetësimin për projektin e Parkut Ujor Drilon-Tushemisht dhe ka kërkuar ndalimin e menjëhershëm të zbatimit të tij, ka dalë në përfundimin se Liqeni i Ohrit duhet të inspektohet në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik,” u shpreh Zhupa.
Ajo e cilësoi këtë një lajm shumë të keq për Shqipërinë dhe një hap prapa në mbrojtjen e trashëgimisë botërore, duke theksuar se çdo vendim i mëparshëm i UNESCO-s është injoruar nga qeveria dhe klientët e saj.
Zhupa akuzoi qeverinë për shtimin e planeve ndërtimore pas ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe për dorëzimin e projekteve të Parkut Ujor tek AADF, e njëjta organizatë që ka marrë koncesionin e Butrintit.
Ajo theksoi se AADF ka në dorë 7 nga 15 nënprojekte në këtë zonë, përfshirë ndërtimin e parkingjeve dhe Qendrës së Vizitorëve.
“Propaganda e ministres Kumbaro dhe e Granoff nuk mund të fshijë faktin që UNESCO jo vetëm që i kundërshton këto projekte, por ka arritur deri në kërkimin e penalizimeve ndaj Shqipërisë si mënyrë për të reflektuar dhe për të respektuar standardet ndërkombëtare,” shtoi Zhupa.
UNESCO ka shprehur keqardhje për ndërtimin e një kompleksi pesëkatësh në Tushemisht dhe për ngritjen e zonave të zhvillimit pranë Tushemishtit, Burimeve të Drilonit dhe Gadishullit të Linit, pa kryer vlerësimet e nevojshme të ndikimit mjedisor.
Sipas UNESCO-s, qeveria shqiptare duhet:
- a) Të rishikojë dhe të reduktojë zhvillimet në Tushemisht në përputhje me kërkesat për ruajtjen e Vlerave të Jashtëzakonshme Universale;
b) Të ndryshojë Planin e Përgjithshëm Vendor të Pogradecit për të përjashtuar urbanizimin në zona ekologjikisht të ndjeshme, përfshirë ato midis Tushemishtit dhe Burimeve të Drilonit, si dhe në Gadishullin e Linit;
c) Të zbatojë me përpikëri masat rregullatore për mbrojtjen e Vlerave të Jashtëzakonshme Universale të pasurisë.
Zhupa theksoi se qeveria duhet të tërhiqet nga ndërtimet në zonat e mbrojtura dhe të ndalojë betonizimin e Pogradecit, Drilonit, Tushemishtit, Linit dhe gjithë hapësirave të tjera me vlera të jashtëzakonshme natyrore dhe kulturore.
Ajo kujtoi se Partia Demokratike e ka çuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin e zonave të mbrojtura pikërisht për të shmangur situata të tilla ku trashëgimia e vendit rrezikohet.
“Në cilësinë e kryetares së Komisionit për Kulturën, kërkoj zbatimin pa vonesë të rekomandimeve të UNESCO-s dhe mbështes monitorimin e rreptë që kjo organizatë i bën Shqipërisë në mbrojtjen e pasurive kombëtare,” u shpreh Zhupa.
Ajo theksoi se në njërën anë qëndrojnë interesat financiare të AADF-së, fitimet e oligarkëve dhe abuzimet e qeverisë, ndërsa në anën tjetër qëndron interesi publik dhe mbrojtja e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të vendit.
Zhupa deklaroi se qytetarët dhe opozita zgjedhin të dytën dhe do të qëndrojnë deri në fund për mbrojtjen e saj.
Në përfundim, Zhupa i bëri thirrje Prokurorisë që të nisë menjëherë një hetim penal dhe të vendosë përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë aktorët qeveritarë, vendorë dhe të AADF-së që kanë shkelur qëllimisht rekomandimet e UNESCO-s dhe ligjet shqiptare, duke dëmtuar trashëgiminë kulturore e natyrore të Shqipërisë.