
Presidenti amerikan Donald Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të zhvillojnë një takim këtë të martë në orën 16:30 me orën lokale në Shtëpinë e Bardhë, për të diskutuar përpjekjet për një marrëveshje për lirimin e pengjeve në Gaza, konfirmoi zyra e kryeministrit izraelit.
Ndërkohë, i dërguari amerikan Steve Witkoff deklaroi se numri i pikave të debatueshme mes Izraelit dhe Hamasit është reduktuar nga katër në një. “Shpresoj që deri në fundjavë të kemi një mundësi reale për marrëveshje,” u shpreh ai.
Sipas burimeve diplomatike për The Jerusalem Post, pengesa kryesore aktuale lidhet me “hartat”, pra me vendosjen e forcave izraelite gjatë armëpushimit. Izraeli kërkon të ruajë një prani ushtarake në korridorin Morag në Rripin e Gazës – kërkesë që bie ndesh me pretendimet e Hamasit për një tërheqje në vijat e muajit mars.
Të hënën mbrëma, Netanyahu mori pjesë në një darkë në Shtëpinë e Bardhë me Trumpin dhe zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë ambasadorin Mike Huckabee dhe Witkoff. Gjatë takimit, Netanyahu i dorëzoi Trumpit një letër ku e propozonte zyrtarisht për Çmimin Nobel për Paqe.
Nga Washingtoni, Netanyahu zhvilloi gjithashtu një takim me nënpresidentin amerikan JD Vance në rezidencën zyrtare të Blair House, ku diskutuan zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe të ardhmen e procesit të paqes.