Vendosni fjalën kyçe....

“Spektali i Ramës në Theth për të mbuluar helmimin që u bëri elbasallinjve” – Berisha


Kreu i PD-së Berisha përsëriti sot akuzat ndaj kryeministrit Rama për manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit.

Në bashkëbisedimin e përditshëm me gazetarët në selinë blu, kryedemokrati akuzoi kreun e qeverisë për zjarrin gjashtëditor në vendin e grumbullimit të plehrave të Elbasanit dhe se po e përdorte operacionin për lirimin e hapësirave publike për të mbuluar skandalin në fjalë.

“Edi Rama, për të mbuluar helmimin që u bëri qytetarëve të Elbasanit me një zjarr që qyteti që nuk e kishte parë kurrë gjashtëditor, zjarr në të cilin u prodhuan toksinat më të rrezikshme për shëndetin e njeriun, zjarr në të cilin janë prodhuar dioksina dhe shumë lloje toksinash të tjera me pasoja katastrofike, zjarr për të cilin nuk ka asnjë përgjegjësi për Edi Ramën dhe që përbën krimin mjedisor më të rëndë në historinë e vendit, shkon e merret me kontejnerët e një krimineli, i cili sipas dosjes ‘Metamorfoza’ ishte angazhuar për të ekzekutuar kryeministrin e Kosovës. Dhe për Edi Ramën, nuk ishte ky problemi më kryesor. Prek Kodra rezulton si njeri që kishte marrë përsipër, i shtyrë nga Vuçiçi apo vëllezërit e Vuçiçit, atë nuk mund ta gjejnë se u njoftua dhe u largua ai. Dhe tani merret me kontejnerët. Do të merret me krimin mjedisor të disa kontejnerëve dhe jo me gjëmën që i bëri Elbasanit dhe Vlorës me djegien e fushave të plehrave si në Mesjetë. Informoj qytetarët se zhurma që bëhet për Thethin është njëlloj si të përpiqesh të mbulosh megakrimin e tij. Qeveria duhej te vendoste milionin mbi kokën e tij për të kapur atë. Dhe ka dy ditë që llomotit për të tërhequr vëmendjen e njerëzve nga Elbasani, nga Vlora, për të mashtruar, për të mbuluar krimin e tmerrshëm mjedisor që u krye dhe që ka në themel vjedhjen e shekullit, llamarinën që solli në Elbasan dhe që nuk funksionoi as 3 muaj, zero ndërtimin e djegësit në Tiranë dhe po kështu në Fier. Pra, u ndala në këto çështje, të cilat janë probleme madhore të Kushtetutës, ligjit dhe drejtësisë.” – tha Berisha.