
Pas dhjetë muajsh qëndrimi në burgun e Fierit, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, është rikthyer i lirë. Në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së në Tiranë, ai u shpreh mirënjohës për mbështetjen që ka marrë nga drejtuesit e lartë të opozitës, kolegët deputetë dhe simpatizantët që e kanë shoqëruar në rrugën e kthimit drejt kryeqytetit.
Salianji veçoi liderin historik të PD-së, Sali Berisha, si dhe presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili ndodhet aktualisht në paraburgim. Ai falënderoi gjithashtu deputetët e qarkut Fier, që e pritën para godinës së burgut.
“Kam marrë mijëra mesazhe. Kam pasur komunikim gjatë rrugës me zotin Berisha dhe drejtues të tjerë të PD-së. Para burgut më pritën deputetët e Fierit. Saimir Korreshin e përqafova te rrethrrotullimi i Kolonjës,” deklaroi Salianji, duke shtuar se do të kërkojë t’i takojë personalisht të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë.
Ai shtoi se vlerëson edhe mbështetjen e partive opozitare që nuk arritën të përfaqësohen në parlament, por që i kanë dhënë solidaritet gjatë kësaj periudhe të vështirë.