Vendosni fjalën kyçe....

Rusia pushton fushën kyçe të litiumit në Ukrainë


Mineral titaniumi i rafinuar pjesërisht në rajonin Zhytomyr të Ukrainës veriperëndimore. Pushtimi i afërsisht një të pestës së territorit të Ukrainës nga Rusia do të thotë se ajo tashmë kontrollon shumë depozita kritike minerale

Forcat ruse morën para rreth dy javësh kontrollin e një depozite të vlefshme litiumi në rajonin e Donetskut në Ukrainën lindore, duke e privuar vendin nga një asset jetik që mund të kishte ndihmuar në mbështetjen e një partneriteti të ri ekonomik me Shtetet e Bashkuara.

Depozita, pak jashtë fshatit Shevchenko në Donetskun perëndimor, u pushtua ditët e fundit, sipas hartave të fushëbetejave nga grupe të pavarura që ndjekin përparimet ruse përmes pamjeve të luftimeve të përcaktuara gjeografikisht, shkruan NY Times. Trupat e Moskës e pushtuan atë si pjesë të ofensivës së tyre verore, e cila ka arritur përparime të qëndrueshme në gjithë Donetskun.

Edhe pse relativisht e vogël – mbulon vetëm 100 hektarë – depozita u pa nga analistët e industrisë si një nga më të vlefshmet e Ukrainës për shkak të përqendrimit të saj të pasur të litiumit, një mineral thelbësor për prodhimin e teknologjive të përparuara si bateritë elektrike. Shtetet e Bashkuara e kanë përcaktuar litiumin si jetik për ekonominë dhe sigurinë e saj kombëtare.

Administrata Trump ka synuar të shfrytëzojë rezervat e mëdha të litiumit në Ukrainë, disa nga më të mëdhatë në Evropë, përmes një marrëveshjeje historike të nënshkruar së fundmi që i jep asaj qasje të drejtpërdrejtë në pasurinë minerale të vendit.

Por kapja e depozitës Shevchenko nxjerr në pah një sfidë thelbësore për marrëveshjen. Sa më shumë territor që pushtojnë forcat ruse në Ukrainë, aq më pak burime mund t’i ofrojë Kievi Uashingtonit.

“Nëse trupat ruse shkojnë më tej, pushtojnë gjithnjë e më shumë territor, ato do kontrollojnë gjithnjë e më shumë depozita minerale”, tha Mykhailo Zhernov, drejtor i “Critical Metals Corp”, një kompani amerikane që dikur mbante një licencë për të shfrytëzuar depozitën Shevchenko.

Yuliia Svyrydenko, ministrja ukrainase e Ekonomisë, e cila nënshkroi marrëveshjen në emër të vendit të saj, nuk pranoi të komentojë kapjen e depozitës, e cila është e para që bie në duart e Rusisë që nga nënshkrimi i marrëveshjes.

Marrëveshja krijon një fond të përbashkët SHBA-Ukrainë me të drejta prioritare për të investuar në projekte të nxjerrjes së mineraleve në Ukrainë. Shtetet e Bashkuara kanë treguar interes të veçantë në shfrytëzimin e mineraleve të Ukrainës si një mënyrë për të zvogëluar varësinë nga Kina, e cila mbizotëron zinxhirët globalë të furnizimit.

Gjatë negociatave mbi marrëveshjen, zyrtarët ukrainas u përpoqën të siguronin më shumë mbështetje ushtarake amerikane, duke argumentuar se ishte në interesin ekonomik të Shteteve të Bashkuara të ndihmonin Ukrainën të zmbrapste forcat ruse dhe të ruante kontrollin e rezervave të vlefshme. Por Uashingtoni vijimësisht nuk pranoi ta lidhë marrëveshjen e mineraleve me mbështetje shtesë ushtarake.

Zyrtarët ukrainas e shohin marrëveshjen si një rrugë për të siguruar mbështetjen afatgjatë amerikane për vendin e tyre të shkatërruar nga lufta. Në një përpjekje të dukshme për t’i treguar administratës Trump se marrëveshja mund të jepte rezultate të shpejta, qeveria ukrainase javën e kaluar miratoi hapat e parë për të hapur një depozitë të madhe litiumi në pronësi të shtetit për investime private.

Svyrydenko tha se ky vend, i njohur si fusha e litiumit Dobra, mund të bëhet projekti i parë i filluar sipas marrëveshjes. Disa investitorë kanë treguar tashmë interes, përfshirë “Critical Metals Corp”, e cila, pavarësisht humbjes së depozitës Shevchenko, mbetet e etur të marrë pjesë në partneritetin mineral SHBA-Ukrainë, tha Zhernov, drejtori i kompanisë.

Megjithatë, analistët e industrisë thonë se marrëveshja përballet me shumë pengesa, duke përfshirë procedura të ndërlikuara licencimi dhe studime gjeologjike të vjetruara që errësojnë vlerën e vërtetë të nëntokës së Ukrainës.

Por ndoshta sfida më e madhe është përparimi i vijueshëm i Rusisë në fushën e betejës.

Pushtimi i afërsisht një të pestës së territorit të Ukrainës nga Rusia do të thotë se ajo tashmë kontrollon shumë depozita të titanit, manganit dhe mineraleve të tjera jetike, siç tregohet nga një hartë e përpiluar nga Instituti për Studimin e Luftës, një grup kërkimor me seli në Uashington. Forcat e Moskës kanë shkatërruar ose kapur gjithashtu disa nga minierat më të mëdha të qymyrit në Ukrainë.

Ndërsa forcat ruse vijojnë të përparojnë në lindje, ato po i afrohen më shumë depozitave të titanit dhe lëndëve të tjera të para si uraniumi.

Ukraina ka ende dy rezerva të tjera të mëdha litiumi në dispozicion për zhvillim, të dyja të vendosura në pjesën qendrore të vendit, shumë përtej vijave të tanishme të frontit. Por depozita Shevchenko spikati për cilësinë e xehes së saj. Ky mineral përmban nivele të larta litiumi, i cili është provuar si një nxitës i rëndësishëm i sektorit të lulëzuar të minierave të Australisë.

Vladimir Ezhikov, një zyrtar i lartë i emëruar nga Rusia në rajonin e Donetskut, tha se divizioni i minierave i gjigantit shtetëror bërthamor të Rusisë, Rosatom, kishte treguar interes për depozitën Shevchenko.

“Ne e kuptojmë që kjo depozitë është një element shumë i rëndësishëm i ekonomisë së ardhshme dhe ka potencial të madh”, tha Ezhikov për Agjencinë e Lajmeve Donetsk, një botim i drejtuar nga Kremlini, vitin e kaluar, ndërsa trupat ruse po përparonin drejt fushës Shevchenko.

“Kjo depozitë patjetër do gjejë një mbajtës licence”, shtoi ai.

“Patjetër që do ketë investime dhe miniera litiumi”.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e NY Times

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani