Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshon fletarrest për liderin suprem të talibanëve për persekutim të grave



Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) në Hagë ka lëshuar fletarrestime ndërkombëtare ndaj dy liderëve të lartë të talibanëve në Afganistan, përfshirë liderin suprem shpirtëror, Haibatullah Akhundzada, dhe shefin e Drejtësisë, Abdul Hakim Haqqani, përcjell REL.

Të dy akuzohen për krime kundër njerëzimit, konkretisht për persekutim të grave dhe vajzave mbi baza gjinore, si dhe për shkelje të të drejtave të individëve që nuk përputhen me politikat radikale të talibanëve mbi gjininë, identitetin gjinor dhe lirinë e shprehjes.

Sipas deklaratës zyrtare të gjykatës, “talibanët kanë vendosur ndalime dhe kufizime të përgjithshme mbi popullsinë, por gratë dhe vajzat janë shënjestruar në mënyrë specifike për shkak të gjinisë së tyre, duke u privuar nga të drejtat dhe liritë themelore”.

Ndër shkeljet e përmendura janë ndalimi i arsimit për vajzat, kufizimi i lëvizjes, ndalimi i punësimit, ndërhyrja në jetën private dhe familjare, si dhe shtypja e lirisë së shprehjes dhe fesë. Gjykata thekson gjithashtu se janë shënjestruar edhe persona për shkak të shprehjes së identitetit gjinor apo seksualitetit, të konsideruar si në kundërshtim me ideologjinë talibane.

Krimet e supozuara janë kryer nga data 15 gusht 2021, kur talibanët morën kontrollin e Afganistanit, dhe kanë vazhduar të paktën deri më 20 janar 2025.

Megjithëse GJNP nuk ka një forcë policore të vetën, fletarrestimet e saj kanë fuqi juridike në të gjitha shtetet anëtare të saj, duke i ndaluar personat e kërkuar të udhëtojnë lirisht në territorin e këtyre vendeve.