Vendosni fjalën kyçe....

Dumani: Përpjekjet për të cenuar pavarësinë e SPAK rrezikojnë kufijtë kushtetues midis pushteteve


Kreu i SPAK, Altin Dumani, në tryezën e diskutimit për integritetin dhe performancën e Prokurorisë së Posaçme, theksoi nevojën për pasqyrim më të madh të rolit të mbledhjes së prokurorëve në raportet vjetore, si dhe adresoi disa problematika që lidhen me boshllëqet ligjore në përfundimin e mandatit të prokurorëve.

Ai theksoi se drejtuesi i SPAK nuk përfshihet në komunikimet e prokurorëve me institucione të tjera përveç rasteve të caktuara hetimi, në funksion të garantimit të pavarësisë së tyre. “Prokurorët e posaçëm meritojnë një përgjigje për statusin e tyre pas përfundimit të mandatit,” tha Dumani, duke e konsideruar këtë si një boshllëk ligjor të adresuar tashmë në Kuvend dhe në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

“Në funksion të pavarësisë së brendshme, si drejtues i SPAK, kam deleguar thuajse të gjitha komunikimet që prokurorët bëjnë me instucionet e tjera. E ndërmora këtë hap duke iu garantuar këtë pavarësi që dmth se prokurorët komunikojnë në mënyrë të pavarur me institucionet e tjera, pa u përfshirë drejtuesit i SPAK, përjashtuar në disa momente hetimi.

Dokumenti ka nënvizuar se statusi i Prokurorit pas përfundimit të mandatit mbetet boshllëk që kërkon zgjidhje ligjore. Në raportimet periodike që kemi bërë në Kuvend dhe KLP e kemi ngritur këtë shqetësim dhe vlerësoj se prokurorët e posaçëm meritojnë përgjigje cilado qoftë ajo. Vlerësoj marrjen në konsideratë të rolit të mbledhjes së prokurorëve në vendimmarrjen institucionale të SPAK. Nuk jam dakord me këtë vlerësim, pjesërisht i përmbushur, por roli aktik i këtij mekanizmi duhet të gjëjë më shumë pasqyrim në raportet vjetore të SPAK”, tha Dumani.

Në lidhje me raportimet në Kuvend, Dumani deklaroi se SPAK i ka trajtuar rekomandimet e dhëna, por kërkoi që ato të bazohen në analiza të thelluara e objektive, për të garantuar një komunikim institucional të shëndetshëm.

“Çdo rekomandim i kuvendit jemi përpjekur ta trajtojmë. Po të shikoni raportet e SPAK, do të gjeni edhe një shpjegim sesi janë përmbushur rekomandimet e Kuvendit apo ata duhet të bazohen në analiza të thelluara dhe objektive, në mënyrë që të sigurohet komunikim institucional.”, tha Dumani.

Duke u ndalur te llogaridhënia, Dumani theksoi se ndërhyrjet me karakter konstruktiv janë të mirëpritura, por shtoi se përpjekjet për të cenuar pavarësinë e institucionit rrezikon që të çbalancojë kufijtë kushtetues. Kreu i SPAK theksoi gjithashtu se edhe vërejtja se ekzekutivi duhet të kufizojë ndikimin në sfera administrative është e drejtë.

“Ndërhyrjet që mbajnë karakter konstruktiv janë të mirëpritura por çdo përpjekje për të cënuar pavarësinë funksionale nëpërmjet rekomandimeve të paqarta ose të njëanshme rrezikon të çbalancojë kufijtë kushtetues midis pushteteve. Në thelb s’kanë rol detyrues për SPAK, por orientues dhe mbështetës. Duke respektuar ndarjen e pushteteve dhe rolin e institucioneve te pavarura, mund të ruajmë balancën kushtetuese. Vërejtja se ekzekutivi të kufizojë ndikimin në sfera administrative është e drejtë.”, shtoi Dumani.