
Miniera e bakrit dhe arit Mineraçao Vale Verde e Appian në Brazil iu shit Grupit Baiyin Nonferrous të Kinës për 420 milionë dollarë në prill © NITRO Visual Stories
Blerjet kineze të minierave jashtë vendit kanë arritur nivelin më të lartë në më shumë se një dhjetëvjeçar, ndërsa kompanitë garojnë për të siguruar lëndët e para që mbështesin ekonominë globale përballë tensionit në rritje gjeopolitik.
Vitin e kaluar pati 10 marrëveshje me vlerë më shumë se 100 milionë dollarë, më e larta që nga viti 2013 sipas një analize të të dhënave të S&P dhe Mergermarket. Një hulumtim i veçantë nga Griffith Asia Institute zbuloi se viti i kaluar ishte më aktivi për investimet kineze në miniera dhe ndërtime jashtë vendit që nga të paktën viti 2013.
Kërkesa e madhe e vendit për lëndë të para , pasi Kina është shpenzuesi më i madh në botë i shumicës së mineraleve, do të thotë se kompanitë e saj të minierave kanë një histori të gjatë investimi jashtë vendit. Analistët dhe investitorët thonë se rritja e marrëveshjeve pasqyron pjesërisht përpjekjet e Kinës për t’iu kundërvënë përkeqësimit të klimës gjeopolitike, e cila po e bën atë gjithnjë e më të padëshiruar si investitor në vende kyçe si Kanadaja dhe SHBA-ja.
Michael Scherb, themeluesi i grupit të kapitalit privat Appian Capital Advisory, tha se ka pasur “më shumë veprimtari në 12 muajt e fundit. Ata po përpiqen të përfundojnë shumë bashkime investimesh dhe blerje përpara se gjeopolitika të vështirësohet.

Trendi ka vijuar që nga fillimi i këtij viti. Kompania kineze Zijin Mining tha së fundmi se planifikonte të blinte një minierë ari në Kazakistan për 1.2 miliardë dollarë. Appian shiti minierën e saj të bakrit dhe arit Mineraçao Vale Verde në Brazil te grupi kinez Baiyin Nonferrous për 420 milionë dollarë në prill.
“Në vitet e ardhshme ka të ngjarë të vijojmë të shohim një nivel të shëndetshëm të nënshkrimit të marrëveshjeve nga kompanitë kineze të minierave”, tha Richard Horrocks-Taylor, kreu global i metaleve dhe minierave në Standard Chartered.
Christoph Nedopil, një ekspert në investimet kineze jashtë vendit dhe drejtor i Institutit Griffith Asia, vuri në dukje se sipas Nismës “Një Brez, një Rrugë”, projektet e politikës së jashtme, transportit dhe infrastrukturës së Xi Jinping kanë tendencë të jenë më të vogla.
Në krahasim, investimet kineze në miniera dhe burime jashtë vendit kanë mbetur të mëdha. Kjo, tha Nedopil, është në përputhje me kthesën e Kinës drejt prodhimit me teknologji të lartë, duke përfshirë bateritë dhe energjinë e rinovueshme. Por kjo gjithashtu pasqyron faktin se investitorët janë bërë më të sofistikuar në qasjen e tyre të investimeve dhe operacioneve.
Kina mbizotëron përpunimin e mineraleve më jetike – duke përfshirë metalet e rralla, litiumin dhe kobaltin – por duhet të importojë shumë nga lëndët e para.
SHBA-të dhe shumë vende evropiane po përpiqen të zvogëlojnë varësinë e tyre nga Kina për këto metale, të cilat janë çelësi për prodhimin e gjithçkaje, nga bateritë e automjeteve elektrike te gjysmëpërçuesit dhe turbinat me erë, dhe të zhvillojnë zinxhirë furnizimi alternativë.
Vendet perëndimore, përfshirë Kanadanë dhe Australinë, ishin “gjithnjë e më të kujdesshme” në lidhje me investimet kineze në asetet lokale të minierave, duke pasur parasysh “natyrën strategjike të shumë prej këtyre mineraleve”, tha Adam Webb, kreu i lëndëve të para të baterive në Benchmark Mineral Intelligence.

Analistët dhe bankierët vunë re se kompanitë kineze ishin bërë të afta në rrëmbimin e aseteve minerare nga rivalët perëndimorë në vitet e fundit, shpesh duke qenë të gatshme të merrnin një këndvështrim më afatgjatë mbi vlerësimet dhe të investonin në juridiksione më të rrezikshme.
“Ka pasur një sofistikim në rritje të strategjive të blerjeve dhe bashkimeve të blerësve kinezë jashtë vendit,” tha Scherb.
“Qeveria kineze më parë zgjidhte një blerës për çdo proces shitjeje asetesh dhe mbështeste atë grup. Ajo që ka evoluar gjatë tre deri në katër viteve të fundit është se qeveria u lejon grupeve kineze të konkurrojnë me njëri-tjetrin. Kjo nënkupton se ata nuk kanë më frikë të humbasin ndaj perëndimit,” tha ai.
John Meyer, një analist në firmën këshillimore të korporatave SP Angel, tha se Kina kishte bërë marrëveshje “për ta mbajtur në mënyrë aktive perëndimin larg materialeve të caktuara jetike.
“Sa herë që dikush u afrohet minierave të litiumit, kinezët vijnë me vrap me thesin me para.”
Grupet më aktive të minierave kineze në marrëveshjet jashtë shtetit përfshijnë CMOC, MMG dhe Zijin Mining.
Institucionet financiare kineze kanë lëshuar gjithashtu miliarda në kredi për projekte të minierave dhe përpunimit të mineraleve në botën në zhvillim.
Timothy Foden, bashkëdrejtues i grupit ndërkombëtar të arbitrazhit në firmën ligjore Bois Schiller Flexner, i cili punon në një numër vendesh afrikane, tha se kompanitë kineze po pozicionohen për të përfituar nga nacionalizmi i burimeve në vende të tilla si Mali.
Disa qeveri ushtarake në Afrikë kanë kërkuar të marrin kontrollin e aseteve perëndimore të minierave dhe po kërkojnë pagesa më të larta të honorareve. Kompanitë kineze shpesh janë të përgatitura të pranojnë një marrëveshje më pak fitimprurëse nëse mund të marrin përsipër drejtimin e aseteve, tha avokati.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani