Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet laborator për falsifikim pasaportash në Tiranë, në pranga babë e bir



Një laborator i fshehtë për falsifikimin e dokumenteve të ndryshme, përfshirë pasaporta me shtetësi të huaj, është zbuluar në Tiranë gjatë një operacioni të koduar “Identiteti”, i zhvilluar nga Seksioni i Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Operacioni vjen pas një hetimi 7-mujor me metoda speciale hetimore, i cili përfundoi me arrestimin e dy personave, babë e bir:

  • Ylli Brahimaj, 65 vjeç, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi” të dhënë më herët nga SPAK, për përfshirje në një grup kriminal për veprimtari të ngjashme.

  • Pjerin Brahimaj, 45 vjeç, djali i tij.

Gjithashtu, u procedua penalisht Sh. L., 62 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari.

Gjatë kontrollit në banesën e të arrestuarve, policia zbuloi një ambient të përshtatur si laborator për falsifikimin e dokumenteve, ku u sekuestruan pasaporta dhe dokumente të dyshuara si të falsifikuara, si dhe pajisje të specializuara për prodhimin e tyre.

Sipas të dhënave të hetimit, një pasaportë e falsifikuar shitej për 15 000 deri në 20 000 euro dhe dyshohet se përdorej për kalim të paligjshëm të kufirit drejt vendeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Policia ka nisur tashmë punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet kriminal, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.