
Policia e Shtetit ka finalizuar një tjetër operacion për goditjen e veprimtarive të paligjshme që lidhen me prostitucionin, këtë herë në zonën turistike të Qerretit, Kavajë.
Operacioni i koduar “Baza”, i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Policinë e Kavajës, u finalizua pas një hetimi dyjavor të kryer me metoda proaktive.
Si rezultat, u bë arrestimi në flagrancë i dy shtetaseve me origjinë kineze:
C. Y., 42 vjeçe
Y. Sh., 41 vjeçe
Të dyja akuzohen për veprën penale “Prostitucioni”, pasi ushtronin aktivitet të paligjshëm seksual me pagesë në një apartament të marrë me qira.
Po ashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë 6 shtetas shqiptarë, që dyshohet se kishin përfituar shërbime seksuale kundrejt pagesës, me çmime që varionin nga 80 deri në 200 euro.
Sipas hetimeve, dy shtetaset kishin hyrë në Shqipëri me status turistik, por kishin vendosur të qëndronin në mënyrë të përhershme për aktivitet fitimprurës të paligjshëm. Ato përdornin rrjetet sociale dhe aplikacione komunikimi për të gjetur klientë dhe për të zhvilluar takime në ambientin e marrë me qira.
Gjatë kontrollit, u sekuestruan si prova materiale:
Shuma parash në euro dhe dollarë,
2 telefona celularë, që dyshohet se shërbenin për kontakt me klientët.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme ligjore.